Sot shërbimi shëndetësor privat përbëhet nga disa mijëra entitete: vetëm farmaci me kontratë me ISKSH-në janë rreth 840 e rreth 82 depo farmaceutike. Ky sistem qarkullon më shumë se 3.5% të GDP-së së vendit, pra disa qindra milionë euro në vit. Por nuk ka ende një set ligjor rregullator për të monitoruar e standardizuar këtë megabiznes, që financohet direkt nga xhepi i qytetarëve si në skenarët afrikanë, duke i mundësuar shërbim shëndetësor vetëm një pakice të pasur të popullsisë

Deputetja e PS-së Klodiana Spahiu hedh dritë për herë të parë mbi sistemin shëndetësor privat dhe problematikën e tij, duke nënvizuar mungesat e kuadrit të plotë rregullator dhe të strukturave të posaçme të monitorimit. Kjo situatë ka çuar në bashkëjetesën mes strukturave mjekësore dhe farmaceutike hipermoderne dhe klinikave, laboratorëve e farmacive me standarte shumë të ulta. Shenjë e papjekurisë është edhe mënyra primitive e financimit të shërbimit shëndetësor privat në vendin tonë: pagesa direkt nga xhepi i qytetarëve. Probleme ka edhe në sistemin fiskal të vendit, në drejtim të shmangies së  taksimit real të këtyre bizneseve, pa llogaritur se një pjesë jo e vogël e institucioneve shëndetësore private “ushqehen” nga institucionet publike me burime njerëzore edhe brenda orarit të punës, me pacientë të trafikuar.

Cila është shtrirja dhe veçoritë e shërbimit shëndetësor privat në Shqipëri? 

Nga një vend i socializuar totalisht, me 100% të shërbimit shëndetësor publik, në këto 20 vite është krijuar me ritme jashtëzakonisht të shpejta një strukturë e gjerë dhe komplekse e shërbimeve shëndetësore private e përbërë nga klinika, laboratorë mjekësorë, klinika stomatologjike, farmaci e depo farmaceutike, spitale, etj. Për të gjykuar për ritmet e rritjes së këtij sektori mjafton të përmendim që aktualisht vetëm farmaci me kontratë me ISKSH-në janë rreth 840 e rreth 82 depo farmaceutike. Pra vlerësohet se në total, shërbimi shëndetësor privat sot përbëhet nga disa mijëra entitete shëndetësore private. Karakteristikë tjetër e zhvillimit të shërbimit shëndetësor privat tek ne është edhe zhvillimi i tij kaotik, pa një strategji të menduar mirë, pa një sistem rregullator bashkëkohor që do të ndihmonte në zhvillimin e shëndetshëm  sipas standardeve moderne të sotme. Mjafton të përmendim këtu që megjithëse ky sistem qarkullon më shumë se 3.5% të GDP-së së vendit, pra disa qindra milionë euro në vit, nuk ka ende një set të plotë ligjor rregullator për të monitoruar e standardizuar këtë megabiznes.

A ka struktura të specializuara për monitorimin e këtij shërbimi?

Ende nuk ka struktura të specializuara për monitorimin e cilësisë dhe aktivitetit të shërbimit shëndetësor privat dhe madje, për më keq, raportimet e strukturave private pranë institucioneve publike të autorizuara për mbledhjen e informacionit janë të mangët ose mungojnë fare.

Cila është shtrirja gjeografike e këtij shërbimi?

Pavarësisht kësaj rritjeje marramendëse që në thelb është për t'u përshëndetur, fatkeqësisht shërbimi shëndetësor privat është ngritur dhe funksionon kryesisht pranë zonave urbane: pothuajse 90% e tij vepron në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Korça, Vlora, etj. Kjo ka bërë që zonat rurale që ende kanë më shumë se 50% të popullsisë dhe 70% të territorit, të privohen nga ky shërbim alternativ.

Cila është cilësia dhe infrastruktura që ka ky lloj shërbimi?

Mungesa e kuadrit të plotë rregullator dhe e strukturave të posaçme të monitorimit ka çuar në bashkëjetesën e klinikave, laboratorëve, farmacive dhe spitaleve me infrastrukturë e pajisje moderne nga njëra anë, me klinika, laboratorë, farmaci e spitale ndërtuar në godina e mjedise të papërshtatshme, të vogla e me kushte higjeno-sanitare të dobëta, krejtësisht jashtë standardeve të sotme të ndërtimit dhe funksionimit të këtyre strukturave mjekësore.

Cila është mënyra e financimit të shërbimit shëndetësor privat?

Shenjë e papjekurisë dhe amatorizmit është edhe mënyra primitive e financimit të shërbimit shëndetësor privat në vendin tonë. Ende tani pas 20 vitesh, ky shërbim financohet totalisht me mënyrën më primitive, pagesa direkt nga xhepi i qytetarëve. Kjo mënyrë financimi, e denjë vetëm për skenarët afrikanë, dëmton shumë zhvillimin e këtij shërbimi – duke e bërë atë të ngurtë dhe regresiv – dhe pengon rëndë aksesin e qytetarëve për të marrë shërbim shëndetësor, duke ia mundësuar këtë vetëm një pakice të pasur të popullsisë. Probleme ka edhe në sistemin fiskal të vendit, në drejtim të shmangies së  taksimit real të këtyre bizneseve. Për fat të keq, një pjesë jo e vogël e institucioneve shëndetësore private “ushqehen” në mënyrë parazitare nga institucionet publike me burime njerëzore bile edhe brenda orarit të punës, me pacientë të trafikuar.

A ka në Shqipëri institucione shëndetësore private që funksionojnë pa përfitime financiare?

Një nga treguesit e karakterit human të shërbimit shëndetësor dhe atij privat në vendet e përparuara të botës është prania e institucioneve shëndetësore me natyrë “no-profit”, pra klinika, laboratorë dhe spitale që ngrihen nga fondacione, shoqata apo filantropë me qëllim jo fitimprurës. Kjo në realitetin e sotëm të vendit tonë pothuajse nuk ekziston, pasi vetëm një përqindje e papërfillshme e institucioneve shëndetësore private janë me natyrë jo fitimprurëse. Në Gjermani, Francë dhe shumë vende të tjera perëndimore shtretërit e spitaleve me natyrë jo fitimprurëse zënë pothuajse 50% të të gjithë shtretërve të institucioneve private.

Si paraqitet situata e këtij shërbimi shëndetësor në Durrës?

Situata në Durrës nuk duhet shkëputur nga realiteti i përgjithshëm në Shqipëri. Edhe në Durrës ka patur një rritje të dukshme të shërbimit shëndetësor privat, me gjithë problematikat e përmendura më lart.