Deputetja Klodiana Spahiu bashkëbisedim me banorët e zonës së Plazhit

Deputetja e zgjedhur në qarkun Durrës, Klodiana Spahiu, në vijim të turit “Bashkëqeverisja me njerëzit”, zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës së Plazhit në qytetin e Durrësit.

Në fjalën e saj, deputetja Spahiu falënderoi banorët e kësaj zone për mbështetjen që i dhanë Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 25 Qershorit duke bërë të mundur që PS të merrte tetë deputetë në qarkun e Durrësit.

Duke u ndalur tek organizimi i dëgjesave publike, Spahiu tha se kjo tregon vendosmërinë e kryeministri dhe drejtuesit politik për të bashkëpunuar në çdo moment me qytetarët, duke theksuar se dëgjesa të tilla janë zhvilluar në të gjithë vendin.

“Mënyra e re e organizimit të këtyre dëgjesave, post fushate, tregon dhe një herë vendosmërinë që ka kryeministri i vendit dhe drejtuesi ynë politik për të bashkëpunuar në çdo moment me qytetarët. Dëgjesa të tilla, janë bërë në çdo cep të Shqipërisë, dhe nuk janë pa qëllim, kanë një qëllim të vetëm që ne të qeverisim të gjithë bashkë”, u shpreh deputetja Spahiu.

Nga ana e tyre, banorët bërën të ditur shqetësimet me të cilat ata ndeshen, teksa kërkuan që takime të tilla të ketë në vijimësi në mënyrë që të ruhet kontakti i drejtpërdrejtë mes të zgjedhurve dhe qytetarëve.