DURRES, 19 qershor 2013 – Deputetja Klodiana Spahiu ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat e qendrës komunitare "Sot për të Ardhmen" që ndodhet në zonën e ish kënetës.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, pjesëmarrësit në takim kanë shprehur interesimin për programin e Rilindjes dhe atë çfarë do të sjellë ky program për një integrim më të mirë të gruas në shoqëri.

Nga ana e saj deputetja Spahiu ka shpjeguar programin e Rilindjes dhe është ndalur vecanërisht në barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në jetën publike i cili është angazhimi i Partisë Socialiste nesër në qeveri:

“Do të hapim një rrugë të re, ku përmes politikave të reja të barazisë gjinore të rritet roli dhe pjesëmarrja e gruas në politikë, në përfaqësimin e popullit sovran, qoftë në parlament, qoftë në qeverisjen vendore, në administratën publike. Nuk është thjesht një program në funksion të fitores së zgjedhjeve, por për ta kthyer fitoren në mundësi për të gjithë. Në marrjen në punë në shërbimin publik të grave dhe vajzave nuk do të ketë diskriminim. Të shtojmë numrin e grave dhe vajzave në përfaqësim, në administratën publike, të nxitim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sipërmarrje dhe të ndërtojmë një politikë të posaçme për të luftuar papunësinë femërore. Për ne do të jetë një nga objektivat kryesorë të mirëqeverisjes pas 23 qershorit. Për ne barazia gjinore është rrugëzgjidhja për përballimin e sfidave demografike, forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies së familjeve shqiptare. Do të kërkojmë rritjen e masave ndëshkimore kundër dhunës ndaj grave. Do të luftojmë për arritjen e barazisë gjinore në tregun e punës, ku gratë do të paguhen me pagë jo më të ulët se burrat. Do të mbrojmë gratë dhe vajzat me politika të vecanta”.

Spahiu ka bashkëbiseduar gjatë me gratë dhe vajzat e kësaj qendre duke marrë mbëhstetjen e tyre për programin e Rilindjes.