DURRES, 16 qershor 2013 – Deputetja Klodiana Spahiu ka zhvilluar një takim me organizatën kombëtare të dëshmorëve të atdheut. Të pranishmit veteranë të LANÇ dhe pasardhës të dëshmorëve të atdheut kanë shprehur mbështetjen e tyre maksimale për programin e Rilindjes duke shprehur besimin se qeveria e nesërme me Edi Ramën kryeministër do të tregojë kujdes të vecantë ndaj kësaj shtrese.

Deputetja Klodiana Spahiu paraqiti disa aspekte të Programit të PS për veteranët, invalidët e Luftës dhe familjet e dëshmorëve, duke nënvizuar se vlerat dhe kontributi i partizanëve dhe veteranëve shqiptarë janë një vlerë e përjetshme për Shqipërinë. Respekti dhe nderimi për vlerat e kulturës antifashiste dhe të shërbimit ndaj vendit qëndrojnë në themel të politikave sociale të Programit të Rilindjes për veteranët dhe invalidët.

Spahiu i njohu të pranishmit me zotimet e qeverisë me kryeministër Edi Ramën për këtë shtresë:

“Të gjitha shërbimet publike për veteranët do të jenë falas dhe do të përballohen nga shteti. Zbatim i të gjitha detyrimeve që burojnë nga Statusi dhe Karta e Veteranit: shpërblim mujor, kurim falas në institucionet shëndetësore publike, barna falas për sëmundjet kronike, udhëtim falas me mjetet e transportit urban publik, udhëtim interurban me mjetet e transportit publik me gjysmë çmimi, pushim në shtëpinë e pushimit të punonjësve dhe ushtarakëve, përjashtim nga të gjithë taksat e drejtpërdrejta. Po kështu do të kryhet edhe anullimi i amendimit, prej qeverisësë djathtë të Ligjit Nr. 8607, datë 24.04.2000 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut.” Buxheti i shtetit do të parashikojë shpenzimet e nevojshme për ruajtjen, restaurimin dhe mirëmbajtjen e simboleve të historisë së LANÇ, si muzetë, Varrezat e Dëshmorëve, monumentet, bustet, lapidarët, pllakat përkujtimore, etj. Respektim i emërtimeve të rrugëve dhe objekteve sociale, kulturore, ekonomike etj. që na rikujtojnë vlerat dhe historinë e LANÇ. Kremtim me nderimet e merituara të datave e ngjarjeve në periudha të ndryshme të historisë dhe Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ). Hartim i politikave të kujdesit ndaj veteranëve në bashkëpunim me veteranët dhe përfaqësuesit e organizatës kombëtare të familjeve të dëshmorëve.”

Në këtë takim organizata kombëtare e dëshmorëve të atdheut i ka dhënë titullin “Nderi i Organizatës kombëtare të dëshmorëve të Atdheut” kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për kontributin e madh që ka dhënë kryebashkiaku Dako në shërbim të qytetit të Durrësit.