DURRES, 7 qershor 2013 – Deputetja e PS Klodjana Spahiu ka zhvilluar një takim me anëtarë të shoqatës së të verbërve të Durrësit ku deputetja Spahiu e ka njohur këtë shtresë me masat që do të ndërmarrë qeveria me kryeministër Edi Ramën për këtë shtresë të popullsisë.
Sipas zëdhënësit të selisë rozë, personat me aftësi të kufizuar që kanë marrë fjalën në takim e kanë vënë theksin te gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet kjo kategori e popullsisë, pjesa më e madhe e së cilës jeton sot jetojnë nën minimumin jetik. Ata janë shprehur se vazhdimisht janë detyruar të dalin në protesta për të kërkuar të drejtat e tyre, por qeveria ua ka përplasur derën në fytyrë.
Pjesëmarrësit në takim i kanë shprehur deputetes Spahiu se ata janë braktisur dhe nëpërmkëmbur tërësisht nga qeveria aktuale dhe se kanë bindjen e plotë se vetëm programi i Rilindjes mund të ndryshojë këtë situatë. Nga ana e saj deputetja Spahiu deklaroi se qeveria aktuale e ka harruar tërësisht këtë shtresë duke i braktisur tërësisht të verbërit dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuar.
Spahiu u shpreh se me programin e Rilindjes dhe qeverinë me kryemnistër Edi Ramën do të përkrahen tërësisht personat me aftësi të kufizuar madje brenda 100 ditëve të para të qeverisjes socialiste do të merren masa që do të përmirësojnë situatën që përjetojnë aktualisht jo vetëm të verbërit por të gjithë personat me aftësi të kufizuar:
“Ne kemi marrë një angazhim, që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë do të publikojmë një akt të gjithpërfshirjes në procesin e ligjvënies për të gjitha grupet e interesit, sipas projektligjeve që përcaktojnë edhe se kush janë grupet e interesuara. Ne do të garantojmë përfaqësimin demokratik të personave me aftësi të kufizuar në kudër të këtij akti të përgjithshëm, duke u angazhuar se i gjithë procesi ligjbërës dhe ligjvënës do të jetë një proces i konsultuar drejtpërdrejtë me ju dhe komisionet parlamentare do të jenë të hapura për t’ju mikpritur dhe për t’ju dëgjuar.”
Deputetja Spahiu ka pasqyruar një përmbledhje të masave konkrete që do të ndërmarrë Partia Socialiste me të ardhur në pushtet dhe që do të realizohen brenda mandatit të parë qeverisës.
Ndër to janë: Anulimi i ndryshimeve ligjore që ka imponuar qeveria aktuale, për kufizimin e të drejtave ekonomike e sociale të Personave me Aftësi të Kufizuar; Miratimi i projektligjit të hartuar nga shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar “Për nxitjen e punësimit të personave të verbër dhe të personave me aftësi të kufizuara të tjera”; etj.
Sipas saj një tjetër ndërhyrje e menjëhershme e qeverisë socialiste do të synojë të rrisë hapësirat për punësimin e personave me aftësi të kufizuar në institucionet e administratës publike ku do të detyrohen të gjitha institucionet publike që ta respektojnë normën evropiane të marrjes në punë të personave me aftësi të kufizuar, duke pasur një kuotë sado të vogël, por të domosdoshme për marrjen në punë në shërbimin publik, në administratën publike persona me aftësi të kufizuar.





