Spahiu: Është shumë e rëndësishme që të rinjtë, të cilët votojnë për herë të parë të shkojnë masivisht në votime

DURRES, 7 qershor 2013 – Deputetja Klodiana Spahiu ka zhvilluar një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në 23 qershor.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, në këtë takim merrte pjesë edhe kryetarja e forumit të gruas socialiste të rrethit të Durrësit Alda Kushi, kryetari i PS të qytetit të Durrësit Alfred Mullaraj si dhe një pjesëtare e ekipit të Rilindjes durrsake e njëkohësisht kryetare e FRESSH të qytetit Durrës Esmeralda Shkjau.

Në takim ka përshëndetur kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako i cili i bëri thirrje të rinjve të mos tremben nga presionet e qeverisë dhe të dalin të lirë për të votuar për të ardhmen e tyre, për programin e Rilindjes. 

Dako shprehu bindjen se të rinjtë votues për herë të parë ashtu si të gjithë qytetarët e Durrësit e të të gjithë vendit do ta japin votën për Edi Ramën kryeministër sepse vetëm kështu vendi mund të shpëtojë nga rrënimi ku është zhytur aktualisht.

Nga ana e saj deputetja Klodjana Spahiu deklaroi se është shumë e rëndësishme që të rinjtë, të cilët votojnë për herë të parë të shkojnë masivisht në votime për të votuar për të ardhmen e tyre pasi sipas Spahiut vetëm programi i Rilindjes dhe qeveria me Edi Ramën kryeministër do të ndërmarrë reforma të rëndësishme përsa i përket arsimit, punësimit dhe sportit që lidhen drejtpërdrejt me rininë.

Ndaj deklaroi Spahiu është shumë e rëndësishme që ata të cilët votojnë për herë të parë në 23 qershor të votojnë për veten e tyre por edhe për të ardhmen e vendit pasi vetëm me votën e tyre dhe të gjithë shqiptarëve për PS-në vendi do të rimëkëmbet në të gjitha fushat.

Në fund të takimit janë shpërndarë edhe teserat e PS për të rinjtë që kanë dashur të bëhen pjesë e PS-së dhe gjithashtu pjesë e Rilindjes.