Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal dhe atij ushtarak.
Pas dërgimit të dosjes në GJKKO, ka reaguar mediu, i cili e ka cilësuar si gjykim të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK.
Më tej, Mediu shprehet se ka zgjedhur të shmanget nga debati mediatik në lidhje me këtë çështje, sepse sipas tij “gjyqet popullore apo demaskimet e “frontit” si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik”.
Reagimi i Fatmir Mediut:
Dërgimi për gjykim në GJKKO i çështjes penale në ngarkimin tim, është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit.
Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal si dhe me faktet e provat.
Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave.
Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një proçes i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor.
Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin.
Prokuroria dje, por edhe SPAK sot, kanë zhvilluar hetime për mua dhe familjarët e mi, për të treguar/vërtetuar implikimin tim në interesa të paligjëshme në proçesin e demontimit të municioneve në Gërdec. Edhe pse këto hetime kanë qënë tërësisht tendencioze dje edhe sot, ato kanë provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë përfshirje timen në një veprimtari korruptive në këtë proces. Fakt i cili dhe vetëm ai, mundet të më ngarkonte me përgjegjësi penale mua si ministër.
Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK.
Marrdhënia me median që në fillesë të rastit, përfaqësimi i të ashtuquajturës akuzë nga tre prokurorët kryesorë të SPAK, si dhe shmangia e mosarsyetimi i problemeve ligjore të ngrituara në aktet tona të transmetuara në SPAK, përbëjnë provë që aksioni penal kundër meje nuk është një qëndrim i pavarur e profesional i një prokurori, por është pozicionim politik i një institucioni të tërë.
Kam zgjedhur t’i shmangem debatit mediatik për këtë çështje, sepse kam menduar që gjyqet popullore apo demaskimet e “frontit” si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik.
Në çdo rast mbetem i vetëdijshëm se vendi ku shqyrtohen dhe provohen akuzat nuk është parësisht media, por gjykata, me bindjen e palëkundur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm.
Kujtojmë se sot SPAK, në një komunikim zyrtar tha se, Mediu në bashkëpunim me disa funksionarë të tjerë të ministrisë, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, duke favorizuar dy kompani, SAC Inc dhe Albademil sh.p.k.