Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet për procedimin penal nr.75/5, të vitit 2024, dhe përcolli në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkesën me objekt “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.75/5”, në ngarkim të të pandehurit Alban Bengasi, akuzuar për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më datë 30.01.2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur shtetësja Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj me targë AA 282 DI, është dhunuar nga një  person, i cili e ka goditur shumë herë me grushta në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës dhe të gojës te dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.

Hetimet e kryera nga  Prokuroria e Posaçme, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Konkretisht, i pandehuri Alban Bengasi (ish bashkëshorti  i të dëmtuarës Blerta Ruçi), për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani. I pandehuri Nuredin Dumani, është  personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është  ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.

Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.