SPAK ka filluar hetimin në lidhje me përgjimet e anti-mafies italiane për “Ndrangheta”-n, ku përmenden disa kontakte me disa politikanë të rëndësishëm në Shqipëri.
SPAK njofton se procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, regjistrimi i këtij procedimi penal, është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë.
Mësohet se gjatë ditës së sotme, në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ në lidhje me çështjen në fjalë.
Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicie për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros”– bën me dije SPAK.
Gjatë përgjimeve ndaj anëtarëve të “Ndrangheta”-s, Prokuroria e Katanzaros zbuloi se ata flisnin për biznes edhe në Shqipëri, të cilin do ta kryenin përmes korruptimit me shuma të mëdha të politikanëve të rendësishëm dhe drejtuesve të tjerë të rangut të dytë në Shqipëri.
Në përgjime, ata shprehen se mund të futen në tregun e ndërtimit të grataçelave në Tiranë duke dhënë 20% ryshfet tek zyrtarët lokalë.
Gjatë operacionit të kryer nga anti-mafia italiane, janë arrestuar 36 persona, si anëtarë të “Ndrangheta”-s, mes tyre edhe disa shqiptarë, të cilët kishin regjistruar në emrat e tyre bizneset që në fakt ishin të organizatës italiane mafioze.





