Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ditën e sotme.
Sipas fletëthirrjes së dorëzuar në adresë të numrit dy të qeverisë, Balluku duhet të paraqitet në SPAK në orën 15:00, ndërsa pritet që t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.
SPAK po heton zv/kryeministren për shkelje të barazisë në tenderat që lidhen pikërisht me tenderat e Llogarasë, ku më herët janë arrestuar vartës të saj, si ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza dhe ish-zyrtarë të tjerë.
Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut, pasi herën e parë ajo nuk u paraqit në SPAK, sepse ndodhej jashtë vendit në një vizitë zyrtare.
Sipas ligjit, nëse refuzohet edhe fletëthirrja e dytë për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, kjo e fundit mund të kërkojë shoqërimin përmes policisë të subjektit nën hetim.





