Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

SPAK i ktheu dje përgjigje kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ka kallëzuar ish-Kryeministrin Berisha dhe disa ish-zyrtarë të tjerë. Në përgjigjen e SPAK që mban firmën e kreut të këtij institucioni, Arben Kraja, thuhet se ka një hetim për ish-Kryeministrin Berisha.

“Në përgjigje të kërkesës suaj dërguar me shkresën nr. 800, datë 18.02.2022, në lidhje me kallëzimin e depozituar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, ju informojmë se:

‘Pas verifikimeve të kryera, në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton që më datë 1.12.2020 është regjistruar procedimi penal nr. 287, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i K. Penal, pa emra të regjistruar.

Ky procedim është në fazën e hetimit”, thuhet në përgjigje të letrës. Pak ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i dërgoi një letër kreut të SPAKut, Arben Kraja, në të cilën i kërkoi të dije se në ç’fazë janë hetimet për kallëzimin që ai bëri për ish-Kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin Arben Imami, vajzën e ish-Kryeministrit dhe bashkëshortin e saj.

“I nderuar z. Kraja, më datë 17. 11.2020, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam depozituar kallëzim për veprën penalë të ‘Shpërdorimit të detyrës’ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, të ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 145/1-25 i ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ në bashkëpunim të parashikuar nga neni 287-25 i Kodit Penal, të ‘Korrupsionit aktiv/pasiv në sektorin privat’ sipas nenit 164/a/b të Kodit Penal kundër shtetasve:

Sali Berisha- ish-Kryeministër gjatë viteve 2005- 2013; Arben Imami ish-ministër i Mbrojtjes 2009-2013, anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave, drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Jambër Malltezi, aksioner i 35% të aksioneve të Kompanisë ‘Jomeplan’ SHPK, bashkëshorti i Argita Sali Berisha; administratori dhe aksionerë të kompanisë ‘Homeplan’ SHPK; administratori dhe aksionerë të kompanisë ‘Kontakt’ SHPK, anëtarë të Komisionit të Kthimit të Pronave, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, zyrtarëve të Drejtorisë së Administrimit të Shitjes së Pronave Publike në funksion në vitin 2008. Në lidhje me këtë kallëzim, nuk kemi asnjë informacion se në çfarë gjendjeje dhe shkalle procedimi është”.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, e dorëzoi kallëzimin penal në SPAK në nëntor të vitit 2020. Në qendër të padisë ishte privatizimi i kompleksit “Partizani”, i denoncuar vite më parë nga socialistët, duke e cilësuar si një aferë korruptive të qeverisë Berisha.

Kur bëri padinë në prokurori, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh: “Një pronë me rreth 10.000 m2 , mu në qendër të Tiranës, në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarësh.

Nëse çdo qytetar shqiptar do ta vlerësonte, është një pronë me 10.000 m2 , duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milionë euro. Kjo është blere më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë”.

/Panorama.al