Ish-ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Berisha për bashkëshortin e saj. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Xhaçka e cilëson ish-kryeministrin si “kusar me damkë dhe shpifës.

Ndër të tjera ajo sqaron se bashkëshorti i saj nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994.

Xhaçka shtoi se SPAK duhet të bëjë punën e vetë i pandikuar, ndërsa Berisha “le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”.

Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral.

Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro  preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. 

SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!”, shkruan Xhaçka.

I pyetur gjatë një konference me gazetarët nëse e vlerëson vendimin e gjykatës për sekuestrimin e truallit të bashkëshortit të Ministres Olta Xhaçka, Berisha u shpreh se rasti i këtij të fundit nuk mund të krahasohet me Jamarbër Malltezin që sipas tij ka marrë tokën e vetë pas 50 vitesh.

Kujtojmë se në kuadër të hetimit të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, SPAK ka vendosur që të ngrijë pasurinë truall prej 5512 metër katror të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Xhaçka, aty ku po ndërton vila luksoze si investitor strategjik.