Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar në total 157 vite burg për 8 autorët e grabitjes së rreth 10 milionë euro në aeroportin e Rinasit 3 vite me parë, konkretisht në 9 prill të vitit 2019. Ngjarja e cila përfundoi me vrasjen e Admir Muratajt.
SPAK ka kërkuar dënimin me 24 vite burg për Klement Calën dhe me nga 19 vite burg për 7 të pandehurit e tjerë, Eldi Cala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Cela, Elton Pikli, Talo Çela dhe Alkond Bengasi.
Grabitësi i vrarë Admir Murataj, është konsideruar nga Prokuroria si organizator i 3 grabitjeve të blindave të bankave. Për grabitjen e 9 prillit 2019 dyshohet se Murataj ka pasur bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit dhe nuk janë mundur të arrestohen më herët.
Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj me të paktën 3 persona të tjerë morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me vlera te konsiderueshme monetare.