Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime të forta gjatë këtyre muajve dhe veçanërisht periudhës dhjetor-janar, ku kanë gjetur prova të reja për dosjen “Balluku”, që ka çuar në bindjen e tyre se ndaj zv/kryeministres duhet kërkuar heqja e imunitetit që e çojnë atë drejt arrestimit të mundshëm.

Këto detaje zbardhi sot gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Kjo Javë” të “News 24”, teksa komentoi zhvillimet e fundit nga aktualiteti dhe seanca e djeshme në Kushtetuese, për kërkesën e Kryeministrisë në lidhje me pezullimin e Ballukut.

Ndërsa po afron edhe data 28 janar, e seancës në Kuvend dhe Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, gazetarja shpjegoi se SPAK do paraqesë prova të forta përveç 16 mijë faqeve që ka çuar.

“Pritet që në seancën e 28 janarit të paraqiten edhe prova të reja në Këshillin e Mandateve, ndërsa Kuvendit do i duhet të vendosë për imunitetin e saj. SPAK ka bërë kontrolle nga dhjetori në janar, te biznesmenë, persona të ndryshëm, familjarë apo të afërm të zonjës Balluku. Sipas prokurorëve janë gjetur prova shtesë, përvec 16 mijë faqeve. Pra do të paraqesin prova të reja, nga momenti që u bë kërkesa deri në seancë. Se si do të ndikojë vendimi duhet parë dhe qëndrimi i SPAK”, tha Lala”, tha gazetarja.

Madje ajo shpjegoi se kontrolle janë kryer edhe tek rrethi i ngushtë i zv/kryeministres, ku përmendi emrin e Arbër Abazajt, për të cilin tha se është bashkëjetuesi i kushërirës së zyrtares së lartë socialiste.

“Kontrolle banesash dhe ambientesh të shumta janë kryer nga SPAK, të biznesmenëve. Veçanërisht te Arbër Abazaj, lidhje e afërt e Ballukut, ka krushqi me të, pasi ai bashkëjeton me një kushërirën e saj. Dhe duke qenë se janë kryer kontrolle dhe pretendohet sipas prokurorëve se janë gjetur prova shtesë, përveç 16 mijë faqeve të dosjeve, do paraqesin edhe provat e reja nga momenti i kërkesës për imunitetin deri tek seanca në Kuvend”, shpjegoi Lala.

Në lidhje me vendimin e Kushtetueses, gazetarja nënvizoi se seanca nuk u ngrit në lartësinë e duhur konstitucionale, por mbeti në nivelin e një shkalle të dytë Apeli apo të Gjykatës së lartë.

Ajo nuk dha një kohë se kur mund të merret vendimi, por e sheh kërkesën e kryeministrisë si një strategji të Ramës për të fituar kohë dhe për të krijuar një koracë mbrojtëse ndaj Drejtësisë.

“Sa do ndikojë vendimi i Kushtetueses, kjo duhet parë. Gjykata Kushtetuese, të mërkurën e ardhshme largohen për një aktivitet në Strasburg, nëse nuk e marrin të hënë e të martë, vendimi pritet pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. SPAK e ka ezauruar të gjithë rrugën e saj ligjore, arrestimi ishte guri i fundit. Nëse GJK e rrëzon vendimin, SPAK do të shikojë si do të vijojë tek Këshilli i Mandateve, nëse e le në fuqi pezullimin, duhet parë si do të jetë qëndrimi i SPAK”, theksoi ajo.