Sot në orën 12:00 mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.

Në të njëjtën ditë është edhe data e paraqitjes së Berishës para oficerit të policisë gjyqësore, vendim të cilin e ka refuzuar tre herë.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, më 12 dhjetor SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Pas kësaj kërkese, në Gjykatën Kushtetuese u depozitua një kërkesë nga deputeti Oerd Bylykbashi, ku kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ligjore mes SPAK-ut dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.

Kryesia e Berishës vendosi të mbajë protestë këtë të hënë dhe të enjten, dy ditë këto tepër të rëndësishme në kalendarin politik. Ndërsa sot vendoset mbi imunitetin e Berishës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, të enjten mbahet seanca e fundit për këtë sesion parlamentar.