Mbahet sot seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha. Disa ditë më parë SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme dhënien e masës së sigurisë arrest shtëpie për të. Sot në orë 10:00 në Gjykatën e Posaçme do të dëgjohen palët, nuk do të shqyrtohet në dhomë këshillimi por në prani të palëve, prokurorëve të SPAK, mbrojtjes së ish-kryeministrit, avokatëve të tij dhe vetë Berishës.

Më herët Prokuroria e Posaçme reagoi në një njoftim zyrtar për datën e mbajtjes së seancës për Berishën.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Bazuar në nenin 260 pika 4 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 26.12.2023 ora 10:00”, sipas njoftimit të SPAK.

Berisha tha se do të konsultohet me avokatët e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e Gjykatës së Posaçme.

“Avoketërit do të jenë ata që do më këshillojnë mua, por edhe një herë, çdo qëndrim i imi është përcaktuar nga mungesa e legjitimitetit, nuk kishte asnjë dosje aty, avokati kishte 7 faqe me vendimet e gjykatës”, tha Berisha.

Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit.