SPAK ka dhënë pretencën për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla.

Prokurori Edvin Kondili kërkon për zyrtarin e lartë, dënimin me 1 vit burgim, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Si dënim plotësues u kërkua dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhe 5-vjeçare. Seanca e radhës ku pritet të bëhet mbrojtja dhe shpallja e vendimit u la për me 10 janar.

Memolla akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, në zgjedhjet e 6 marsit të vitit 2022.

Kryebashkiaku është dërguar në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.