SPAK kërkon arrest shtëpie për Sali Berishën. Mësohet se Prokuroria e Posaçme i ka dërguar kërkesën Kuvendit, për ndryshimin e masës së sigurisë, ndaj ish-kryeministrit Berisha, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Kjo kërkesë vjen pasi Berisha refuzon të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.
Rikujtojmë se Berishës, përveç masës detyrim paraqitje, iu ndalua edhe udhëtimi jashtë vendit. Berisha i ka cilësuar akuzat ndaj tij politike dhe ka hedhur akuza ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtares së çështjes së tij Irena Gjoka.
Pak ditë më parë, Apeli i GJKKO liroi nga burgu dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi po për këtë çështje, duke caktuar masën “arrest shtëpie”. Ndërkohë vijon të jetë në fuqi vendimi për sekuestrimin e 25 pasurive të Malltezit, mes tyre disa apartamente dhe llogari bankare.