SPAK kërkon dënimin me burgim përjetë për Redjan Rrajën dhe 35 vite burg për Ariol Halilajn.
Ata akuzohen për atentatin ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku dhe u plagos Pëllumb Muharremi.
Redjan Rraja është në burg lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal, vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.