Këshilli i Mandateve mblidhet këtë të mërkurë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres e njëherësh numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me vendim për ankimimin e kryeministrit Edi Rama sa i takon konfliktit të kompetencave me Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO).
Çështja u shqyrtua nga togat e zeza të Kushtetueses më 22 janar dhe bazuar në praktikat e mëparshme, pritej që vendimi të shpallej të martën, 27 janar.
Megjithatë, mësohet se disa prej anëtarëve të kësaj gjykate kanë kërkuar më shumë kohë për të formuar qëndrimin e tyre mbi rastin.
Palët e legjitimuara në këtë proces janë kryeministri, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti, si tre institucionet që kanë rolin përkatës në zgjedhjen e një anëtari të qeverisë, si dhe SPAK-u e Gjykata e Posaçme. Kjo e fundit, me një njoftim publik, ka bërë të ditur se nuk mund të jetë palë dhe të dalë përpara një gjykate tjetër si ajo Kushtetuese për të interpretuar një vendim të marrë tashmë, pasi e cilëson këtë si cenim të pavarësisë së shkallëve të gjyqësorit.
SPAK ka kërkuar rrëzimin e ankimimit si jo legjitim, pasi, sipas argumenteve të prokurorit Dritan Prençi, duhej pritur më parë shqyrtimi i masës së GJKKO-së nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.





