Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet për hetimin pasuror për Redjan Rrajën. Organi i akuzës ka kërkuar konfiskimin e të gjitha pasurive në emër të tij apo familjarëve, bashkë edhe “Audi-n” luksoz të Kejvina Kthjellës. Sipas SPAK mjeti në fjalë është blerë me të ardhura të paligjshme nga Redjan Rraja dhe i është dhuruar. Ndërkohë mes pasurive që kërkohet konfiskimi janë:

“Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.

 Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.

 Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.

 Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

 Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

 2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”.

 Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.

 Një orë dore tip “Roleks”.

 Shuma prej 2750 Euro.

Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin e mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.  Ndërkohë Arjol Halilaj, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Rrajës në atentat, është dënuar me 35 vite burg. Redjan Rraj u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit.