Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmon se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2019.

Në përgjigjen që SPAK- u i ka çuar PD-së sqarohet se për shembjen e Teatrit në Prokurorinë e Posaçme kanë shkuar dy kallëzime penale për shpërdorim detyre, një nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe disa muaj më vonë edhe nga Partia Demokratike.

“Gjithashtu ju bëjmë me dije se edhe kallëzimi i bërë nga subjekti politik ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’ protokolluar pranë kësaj Prokurorie më 4.6.2020 është bashkuar me këtë procedim penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota e të gjithanshme.

Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informojmë në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me përmbajtjen e akteve hetimore të këtij procedimi penal, do të njiheni në përfundimin e hetimeve paraprake”, thuhet në letrën e SPAK.