Pak javë më parë SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të miratonte vendimin për pushimin e çështjes penale ndaj 3 gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, të cilët i pranuan Dritan Dajtit gjykimin e shkurtuar duke e shpëtuar nga burgimi i përjetshëm.
Gjykata e ktheu dosjen në prokurori për një afat 3-mujor me argumentin se hetimet ishin të paplota dhe jo të gjithanshme. Gjykata e urdhëroi prokurorinë të kryente ekspertimin e telefonit të njërit prej gjyqtarëve të cilin nuk kishte arritur ta çkodonte. Po në finale të afatit të lënë në dispozicion nga gjykata, SPAK ka ndërruar mendje dhe kërkon zgjatjen e afateve të hetimit edhe për 3 muaj të tjerë.
Sipas ligjit SPAK duhet të kishte kryer çdo veprim hetimor përpara se të firmoste pushimin e hetimeve për 3gjyqtarët, një çështje që tashmë është kthyer në lojë procedurale dhe afatesh mes palëve dhe që dëshmon për hetime të mangëta që kryen Prokuroria e Posaçme.





