SPAK ka festuar 5-vjetorin e krijimit duke bërë edhe bilancin e punës për këto vite. Pasi puna e SPAK është vlerësuar nga faktorë vendas dhe të huaj në ceremoninë e rastit, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka publikuar rezultatet e veprimtarisë në këto pesë vite. Bie në sy sekuestrimi i aseteve me vlerë 182.5 milionë Euro.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar festoi sot 5-vjetorin me një prezantim të arritjeve dhe sfidave prej krijimit të saj, më 19 dhjetor 2019.
Në këto pesë vite, SPAK ka proceduar 1809 çështje penale që përfshijnë 2496 persona, nga të cilët 1380 janë dërguar për gjykim. Ndërsa vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara ka arritur në rreth 182.5 milionë euro.
Drejtuesi i SPAK, Z. Altin Dumani theksoi progresin e arritur prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme:
“Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të të gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin. Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Aspirata jonë e përbashkët është të kemi një sistem drejtësie të fortë që u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë. Në këto pesë vite kemi mësuar se rruga është sfiduese, por ajo është gjithashtu një detyrë jetike për të ardhmen e brezave që vijnë.”
Gjatë periudhës 5-vjeçare, SPAK ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin ndërkombëtar duke lidhur marrëveshje me agjenci të shumta ligjzbatuese në vendet e Bashkimit Europian, rajonit të Balkanit Perëndimor, me Britaninë e Madhe, SHBA, duke mundësuar ngritjen e një numri të konsiderueshëm skuadrash të përbashkëta hetimore.
Këtë përvjetor e përshëndetën edhe partnerët ndërkombëtarë:
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Z. Alexander Kasanof vlerësoi punën e SPAK dhe angazhimin e tij për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke u angazhuar për mbështetjen e mëtejshme të SHBA-së për institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Z. Kasanof nënvizoi se:
”Brenda pesë viteve të shkurtra, SPAK-u është kthyer në institucionin publik më të besuar në Shqipëri. Partnerët e huaj kërkojnë ekspertizën e SPAK-ut për të luftuar krimin e organizuar shqiptar në vendet e tyre. Siç thekson Kreu Dumani shpesh në fjalimet e tij publike, SPAK-u nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e Shqipërisë i vetëm. Institucionet e tjera shqiptare duhet të tregojnë guxim, të ndërtojnë besimin e publikut dhe të veprojnë me pavarësi dhe integritet. Lufta kundër korrupsionit është detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ku punon apo kë njeh.“
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Silvio Gonzato tha:
“Në pesë vite, SPAK ka fituar besimin e popullit shqiptar, duke u bërë institucioni më i besueshëm. Me punën e tyre të palodhur, kanë dhënë rezultate të mira, duke rikuperuar miliona euro në asete. Ritmi i negociatave të anëtarësimit në BE do të varet kryesisht nga aftësia e vendit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. BE-ja dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un për të arritur mandatin e tij.”
Ndërsa përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prof. Dr. Arta Mandro, vlerësoi misionin e SPAK:
“SPAK ka shënuar progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i kthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek shteti i së drejtës.”
Shënime për gazetarët:
Disa tregues për periudhën dhjetor 2019-2024:
- 1809 procedime penale për 2496 persona.
- Prej tyre, 1387 persona janë dërguar për gjykim.
Korrupsioni:
- 1097 procedime dhe 1036 persona nën hetim.
- 61 zyrtarë të lartë të proceduar, 70% e tyre janë dërguar për gjykim.
Krimi i Organizuar:
- 494 procedime për 955 persona nën hetim.
- Numri i personave të proceduar përbën 38.14% të totalit.
Terrorizmi:
- 50 procedime penale me 29 persona nën hetim.
- Numri i personave të proceduar zë 1.16% të totalit.
Pastrimi i Parave (Ligji Anti-Mafia):
- 73 procedime të regjistruara me 141 subjekte.
Bashkëpunimi Ndërkombëtar:
- 42 skuadra të përbashkëta hetimore, prej të cilave 27 janë aktive.
- Marrëveshje bashkëpunimi me: Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, NCA britanike, USKOK (Kroaci), zyrat e prokurorive të Italisë, Spanjës, Rumanisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, etj.
Asetet e Sekuestruara dhe Konfiskuara:
- 182.5 milionë euro në vlerë totale.