Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetime ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, i cili dyshohet për korrupsion, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

Lajmi për nisjen e hetimeve ndaj Klosit, i cili është një nga njerëzit më të afërt të zv/kryeministres Belinda Balluku, është bërë i ditur për News24, nga SPAK.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.

Nga të dhënat e SPAK, 7 muaj pas kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.

“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.

SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.