Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar ndaj deklaratës së Belind Këlliçit, i cili kishte thënë se Policia e Shtetit refuzoi urdhrin për të ushtruar kontroll në tregun agro-ushqimor në Elbasan, në pronësi të babait të Suel Çelës. Në përgjigjen e saj për mediat, SPAK ka përgënjeshtruar këtë informacion, duke theksuar se për veprimet hetimore të kryera në Elbasan, ka patur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe të Policisë Vendore.
Për më tepër, SPAK njoftoi se më 10 prill 2025, janë kryer disa veprime hetimore në qytetin e Elbasanit, duke përfshirë kontrollin në 4 banesa dhe 1 zyrë, të udhëhequra nga BKH dhe efektivë të Policisë. Kontrolli ka përfshirë personat si Nazif Bajrami, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, Marenglen Çoku, administrator i ekipit të futbollit të A. F. Elbasanit, dhe Luan Tabaku, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan (UKE).
Nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin “Sky Ecc”, rezultoi se këta persona ishin të lidhur me grupin kriminal të drejtuar nga Suel Çela, i cili është ende në kërkim nga SPAK. Hetimet e SPAK përfshijnë gjithashtu tenderat publikë, të cilët dyshohet se janë përfituar nga krimi i organizuar përmes personave të tretë.