Gianluigi Donnarumma po kalon një periudhë të komplikuar. Pas gabimeve të fundit me fanellën e PSG-së në fushën e blertë, vjen ‘goditja’ nga Luciano Spalletti. 

Trajneri i Italisë, i cili e kishte mbrojtur ish-portierin e Milanit disa kohë më parë, tani e kritikoi publikisht.

“Problemi është gjithmonë i njëjti, si e trajtoni rolin tuaj. Donnarumma duhet të kujdeset për veten, sepse herë pas here ai tregon se po humbet vazhdimësinë. Ka vetëm një mënyrë për të ruajtur nivelin në periudhë të gjatë: të stërviteni dhe të disiplinoni veten mirë në nivel mendor”, tha Spalletti.

Donnarumma, ka qenë prej kohësh një shtyllë e Italisë, por gafat e fundit një në ndeshjen PSG-Monaco, dhe më pas kartoni i kuq për një ndërhyrje horro pas vetëm 9 minutash në Le Havre-PSG, e kanë lëkundur shumë pozitën e tij.

Fjalë që duket se rezonojnë si një paralajmërim përpara Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, ku të kaltërit do të përballen me një grup të vështirë me Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë. 

“Duke parë grupin, këto ndeshje mund të ishin në fazën çerekfinale, por askush nuk do të jetë kurrë i lumtur të luajë kundër Italisë. Nëse e shikojmë nga sytë e të tjerëve, gjetja e Italisë si një kundërshtar i nivelit të katërt nuk mund të jetë diçka që i bën ata të lumtur. Duhet të shkojmë dhe të tregojmë se çfarë skuadre jemi dhe çfarë nivel futbolli mund të ekspozojmë. Ne duhet të tregojmë se cilat janë cilësitë tona më të mira dhe t’i ruajmë ato për 100 minuta”, deklaroi Spalletti.