Zyrtarët katalanas të emergjencës thonë se 761 persona janë plagosur pasi policia ka përdorur forcën për të bllokuar votimin në referendumin e pavarësisë së Katalonjës.

Pavarësisht përpjekjeve të dhunshme të autoriteteve, shumica e katalanasve arritën të votojnë dhe u shprehën të lumtur që sfiduan qeverinë qendrore për aspiratat e tyre demokratike.

Katalonasit u përballën pa frikë me policinë për të mbrojtur qendrat e votimit dhe pastën sukses në pjesën më të madhe, pasi autoritetet mundën që të mbyllin vetëm disa dhjetëra prej tyre.

Por kjo përpjekje e Madridit kushtoi shumë shtrenjtë, pasi mbi 700 njerëz kanë mbetur të plagosur në përballjen e dhunshme me policinë, e cila nuk ngurroi të përdorte shkopat dhe plumbat e gomës.

Ndërhyrja e policisë u mbrojt nga Madridi zyrtar që tha se ishte proporcionale, por u dënua nga zyrtarët lokalë në Katalonjë që thanë se në demokraci nuk mund të ketë një imponim të tillë të shtetit.

Qeveria spanjolle tha se policia veproi pas urdhrit të gjykatave, por strategjia për të ndaluar fizikisht njerëzit që të votonin ka potencialin që të kthehet në një bumerang.