Spanja ishte një nga vendet me bilanc shumë të dhimbshëm si pasojë e koronavirusit në Evropë, por dy muaj pas qetësimit, virusi po përhapet më shpejt se në çdo shtet fqinj.

BBC raporton sot se Spanja tani ka rritjen më të shpejtë në Evropë, me 142 raste pozitive për 100 mijë banorë gjatë dy javëve të fundit.

Në kohën kur gjendja e jashtëzakonshme përfundoi më 21 qershor, Spanja po regjistron 100 deri 150 raste në ditë. Ky numër është rritur në më shumë se 3,000.

Qeveria e Spanjës pranon se numrat nuk janë “ato që duam të shohim”, por tregon për ndryshimet kryesore në krahasim me pranverën.

Vetëm rreth 3% e rasteve aktuale kërkojnë trajtim spitalor, më pak se 0.5% kanë nevojë për kujdes intensiv dhe shkalla e vdekjes aktuale është  0.3%.

“Vdekshmëria është shumë e ulët, siç është niveli i shtrimit në spital. Diçka ka ndryshuar, megjithëse rritja është akoma shqetësuese”, thotë Ildefonso Hernández, një profesor në shëndetin publik nga Universiteti Miguel Hernández në Alicante.

“Për sa kohë që rastet po rriten, ne duhet të mendojmë se një valë e dytë është në rrugë e siper. Ne nuk kemi shumë kohë për të reaguar para kthimit të shtatorit në rutinë”, theksoi ai.