Spanja dhe Anglia luajnë me njëra-tjetrën në finalen e madhe të këtij Europiani, me të dyja skuadrat që duan trofeun e lavdishëm në “Olympiastadion” të Berlinit.

“La Roja” kërkon këtë trofe për të katërtën herë, për të qenë ajo e vetmja me këtë numër duke lënë pas Gjermaninë, teksa i fundit u fitua në vitin 2012, nga ai që cilësohej si brezi i artë i Spanjës.

Nga ana tjetër, “Tre Luanët” nuk e kanë fituar kurrë, teksa hera e fundit që iu afruan më shumë ishte përpara tre vitesh, kur u mundën në Londër nga Italia vetëm falë goditjes së 11-metërshave. Gjithashtu Anglia kërkon t’i japë fund edhe “agjërimit” prej 58 vitesh pa trofe, që nga hera e fundit kur fituan Kupën e Botës në vitin 1966, i pari dhe i vetmi në historinë e tyre,

Skuadra e De La Fuentes ka qenë një nga më të bukurat në këtë turne, duke prodhuar futboll të shpejtë. Në grupe ata morën tre fitore radhazi, duke mposhtur Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë. Nga faza e 1/8-ave e deri në gjysmëfinale, “La Roja” triumfoi kundër Gjeorgjisë, Gjermanisë dhe Francës.

Sa i përket ekipit të Southgate, duket se ata kanë luajtur një lojë vetëm për të fituar. Në grupe, ata mundën Serbinë në ndeshjen e parë, teksa barazuan me Danimarkën dhe Slloveninë në dy të tjerat. Në fazën e 1/8-ave erdhi fitorja e vuajtur me Sllovakinë, kualifikimi përballë Zvicrës në çerekfinale dhe fitorja në frymën e fundit kundër Holandës në gjysmëfinale.

De La Fuente i ka besuar 11-shes së tij titullarë, teksa në formacion janë rikthyer Carvajal dhe Le Nromand, të cilët nuk luajtën për shkak të kartonëve në gjysmëfinalen me Francën.

Nga ana tjetër, Southgate ka bërë vetëm një ndryshim, duke i besuar krahun e majtë të mbrojtjes Luke Shaw në vend të Trippier.