Brazil, 13 qershor 2014 – Më 11 korrik 2010, një gol i Andres Iniestës kurorezonte Spanjën kampione Bote për herë të parë në histori, ndërsa konfirmonte Holandën si humbësen e përhershme. Katër vjet më pas, Spanja dhe Holanda vendosen sërish përballë. Në Brazil është momenti që kampionët e botës e të gjithçkaje të zbresin sërish në fushë, përballë të njëjtit kundërshtar, që në evenimente të mëdha ka mbetur gjithmonë portokalli duke mos e parë kurrë dritën jeshile drejt trofeut.
Nga 2010 dy skuadrat kanë pasur një kurbë të ndryshme, me Spanjën që ka fituar dhe Europianin por gjithsesi duke shfaqur shenja lëngimi në stilin e saj tiki-taka, ndërsa Holanda duket se ka gjetur kompaktësinë me trajnerin Van Gal, që në fund të botërorit do të marrë drejtimin e Man.Utd.
Spanja niset favorite dhe për gamën e jashtëzakonshme të futbollistëve që ka në dispozicion, por do të jetë interesante për të parë sërish duelet Roben-Sneijder me Xavi-Iniesta në mesfushë, ashtu si dhe në sulm ka jo pak emra për t’u krahasuar.
Gjithsesi takimi që do të luhet në orën 21.00 në Arena Fonte Nova, do të jetë i rëndësishëm dhe për të evituar Brazilin në raundin tjetër, që duke qenë vend organizator mund të hapë telashe për njërën prej dy finalisteve të fundit të kompeticionit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





