· Grupi grabiste kryesisht bizhuteri dhe pajisje elektro-shtëpiake, akuzohet për të paktën 58 grabitje
· Hajdutët kanë aftësi të jashtëzakonshme fizike për të kërcyer mbi rrethimet me gardhe, për të depërtuar në dritaret ose dyert e hapura për shkak të temperaturave të larta duke hyrë në banesa dhe në pak sekonda llogarisnin vlerën e atyre sendeve që gjenin, kryesisht bizhuteri
8 gusht 2015 – Goditje e re kundër një bande shqiptarësh të specializuar në vjedhjen e shtëpive, madje kur banorët e tyre ishin brenda, njofton media iberike.
Vetëm një javë pas mbylljes së një operacioni të ngjashëm, agjentë të Gardës Civile spanjolle kanë arrestuar katër persona të akuzuar për të paktën 58 krime të kryera në Madrid. Anëtarët e grupit, tre burra dhe një grua, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, i kryenin vjedhjet kur dritaret mbaheshin hapur për shkak të temperaturave të larta dhe zakonisht në mbrëmje, kohë në të cilën banorët stakojnë alarmet.
Hetimet në kuadër të operacionit “Habitat Espino” filluan në qershor pas një rritje të vjedhjeve kryesisht në zonën malore përreth Madridit, thanë burime nga Garda Civile. Pas një analize të gjithanshme të kamerave dhe nga inspektimet në vendngjarje, agjentët zbuluan një qytetar me origjinë shqiptare, që u provua përfundimisht se është kryetari i grupit në hetim. Anëtarët e grupit, që udhëtonin nga Shqipëria në Madrid për të kryer grabitje, kishin në krye një person me rezidencë në Spanjë.
Anëtarët e grupit kanë aftësi të jashtëzakonshme fizike për të kërcyer mbi rrethimet me gardhe, për të depërtuar në dritaret ose dyert e hapura për shkak të temperaturave të larta dhe hynin në brendësi të banesave dhe në pak sekonda llogarisnin vlerën e atyre sendeve që gjenin, kryesisht bizhuteri dhe pajisje të vogla elektro-shtëpiake.
Një shkak tjetër që ndihmoi agjentët për t’i identifikuar e arrestuar anëtarët e bandës ishin çelësat e veturave të parkuara jashtë shtëpive dhe përkohësisht përdoreshin për veprimet e tyre kriminale.
Për të shmangur zbulimin gjatë shitjes së objekteve të çmuara në dyqane, ky grup kishte ngarkuar një femër për të udhëtuar në Shqipëri me valixhet e mbushura me sendet e vjedhura.
Grupi u kap në aeroportin “Adolfo Suarez Madrid-Barajas”, kur po largohej nga Spanja me valixhet e mbushura plot e përplot me sende të vjedhura.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





