· Policia iberike arrestoi në Barcelonë shijakasin Indrit Shaqja i akuzuar për vjedhje me pasojë vdekje, ky 41-vjeçar, babai i dy fëmijëve, është person i skeduar në policinë e Durrësit dhe në sistemin e drejtësisë
DURRËS, 15 tetor 2014 – I vihen hekurat dhe bashkautorit të tretë të krimit makabër që ndodhi në Durrës, më 2 shtator 2014, si rezultat i të cilit vdiqën dy kunata të moshuara.
Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se të mërkurën, më 15 tetor 2014, Interpol Madridi ka vënë në pranga në Barcelonë, autorin e tretë të akuzuar për vrasjen e dy grave të moshuara Elsa dhe Gjinovefa Vava në Durrës.
Policia iberike arrestoi shijakasin Indrit Shaqja i akuzuar për vjedhje me pasojë vdekje, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve, mësohet se është person i skeduar në policinë e Durrësit dhe në sistemin e drejtësisë.
Ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik, ku u dhunuan për vdekje dy kunata e moshuara, përkatësisht Elsë dhe Gjinovefë Vava, ndodhi më 2 shtator 2014.
Përveç autorësisë së këtij krimi të rëndë, Shaqja dyshohet për disa krime kundër jetës, ndër to, sipas policisë rezulton i dyshuar edhe për dy atentate, ngjarje që kanë mbetur pa autor.
Më përpara policia arrestoi dy autorët e tjerë të ngjarjes 28-vjeçarin Velson Elmazi, i cili ka pranuar se ka kryer krimin dhe Artur Kaçanollin që akuzohet për bashkëpunim.
Artur Kaçanolli është djali, që vajza e njërës prej viktimave ka nga martesa e parë.
Krimi është ekzekutuar nga Indrit Shaqja dhe Velson Elmazi, të cilët kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer dritaren e katit të parë të banesës.
Shaqja ka qenë i armatosur me nje armë zjarri, pistoletë.
Për të realizuar qëllimin autorët i kanë lidhur në gjymtyrë dhe u kanë bllokuar gojën dy të moshuarave, deri në asfiksi.
Dy kunatat, Elsa dhe Gjinovefa Vava, u gjetën të pajeta mëngjesin e 2 shtatorit 2014.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





