Komisioni i Ligjeve është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e 55 deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në një moment ka pasur debat mes deputetëve Spartak Braho dhe Ralf Gjoni.
Spartak Braho: Më vjen mirë që një koleg i joni, zoti Fino, ndonëse ekonomist në profesion paraqiti me kompetencë arsyet pse dekreti i presidentit është i pabazuar në ligj e kushtetutë. Ndërkohë që vërej deputetë të tjerë nuk e kanë kuptuar akoma pse kanë ardhur sot. I dashur Ralfi, dekreti i presidentit nuk është llastik për të mbathura, që mund të të hapet sa herë dhe sa të duash. Është shtyllë dhe neni 92/2 thotë Presidenti i Republikës dekreton zgjedhjet. Nuk ka më as zhdekret, as njoftim, as vendim. Zhdekretimi që ai ka paraqitur nuk parashikohet fare në Kushtetutë.
Ne sot nuk jemi mbledhur për të shkarkuar presidentin, kuptoje dhe këtë, jemi mbledhur për të nisur një procedurë që do të konkretizohet me ngritjen e një komisioni hetimor, apo grupi hetimor që do të konstatojë nëse është shkelje e rëndë apo jo dhe më pas do të vendoset. E kupton këtë që të them apo jo.
Ralf Gjoni: E kuptoj shumë mirë, më mirë se ty zoti Braho.
Spartak Braho: Le t'i japim mundësi parlamentit të nisë procedurën ta hetojë situatën. Ishalla presidenti nuk e shkelur rëndë që të shkarkohet, por për mendimin tim shkelja është e rëndë, megjithatë të ngrihet një komision hetimor. Mund të bëj thirrje që ti të jesh anëtar i atij komisioni dhe ta shikosh me sytë e tu që presidenti e ka shkelur rëndë Kushtetutën.
Unë bashkohem me konkluzionet që relatoi zoti Fino dhe le t'i hapim rrugë komisionit hetimor.
Ralf Gjoni: Kontrolloni anëtarët e komisionit si flasin. Nuk jemi në komunizëm. Zoti Braho mbaroi komunizmi. Me të njëjtën mendësi juriste në 1990-n ju kaluat 7501-shin dhe i morët të drejtën e pronësisë çdo qytetari shqiptar. Mos na bëni arrogancë juridike. Mos mu drejto mua. Nëse ke problem me presidentin adresoja presidentit. Edhe fjalët kurseji. Kujdes se nuk je prokuror.





