Tiranë, 12 korrik 2014 – Pak ditë pas vendimit të marrë nga KLD për gjyqtarin Gjin Gjoni dhe mbledhjet e zhvilluara në mënyrë të fshehtë, kryetari I Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, akuzoi Çefën si grabitës të 10 milion m2 tokë në Durrës. Deputeti i LSI e ka cilësuar Çefën si një vjedhës ordiner, ndërsa gjyqtarin Gjin Gjoni si një njeri të penalizuar.

“Në krye të kësaj rezolute, si nënkryetar i këtij Këshilli ishte Gjin Gjoni, një njeri i penalizuar. Ai merr pjesë në këtë Këshill dhe jep leksione moralizuese. Shikoni kush e drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë: Elvis Çefa. Një vjedhës ordiner. Vetëm me një firmë ka grabitur 10 milionë metra katrorë tokë në Durrës”,- tha Braho, ndërsa ka vënë theksin te mbledhja e fundit e KLD.

Sipas tij, ky institucion është kthyer në një sekt puçistësh të rrezikshëm për drejtësinë, të cilët sipas Brahos komplotojnë kundër Kushtetutës dhe reformave në drejtësi.

“Mbledhja e fundit e KLD-së dëshmoi edhe një herë se ky institucion është kthyer në një sekt pa identitet. Është kthyer në një sekt puçistësh të rrezikshëm për drejtësinë, të cilët komplotojnë orë e çast kundër Kushtetutës dhe kundër reformave që kërkon sot sistemi i drejtësisë. Ata përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit”,– u shpreh Braho.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/