Tiranë, 22 qershor 2014– Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, ka deklaruar për gazetën “Sot” se, sipas burimeve pranë Shërbimit Informativ Shtetëror, ish-kryeministri Sali Berisha ka pasur informacion për pjesëmarrësit në grupin e zjarrit që synonte të thyente operacionin e Policisë së Shtetit në Lazarat.
Sipas Brahos, ish-kryeministri i ka dhënë informacione nominale për të gjithë anëtarët e grupit të zjarrit, jo vetëm Shërbimit Informativ Shtetëror, por edhe organeve të tjera përkatëse.
“Nga burime pranë Shërbimit Informativ Shtetëror, është e vërtetë që Berisha ka patur informacion për pjesëmarrësit në grupin e zjarrit që synonte të thyente operacionin e policisë në Lazarat, por ai për të mos u agravuar më tej situata, ka komunikuar me ta që të dorëzoheshin ose të largoheshin, duke i evidentuar dhe duke i dhënë informacion nominal për të gjithë anëtarët e grupit, jo vetëm Shërbimit Informativ Shtetëror, por edhe organeve të tjera”,– ka deklaruar Braho.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pohoi se në një farë mase, informacionet e ish-kryeministrit Berisha, kanë ndihmuar në përfundimin pa gjakderdhje të operacionit dhe shpartallimin e grupit të zjarrit.
“Në një farë mase, ky veprim dhe informacion i Berishës, duhet konsideruar pozitiv për përfundimin pa gjakderdhje të operacionit dhe shpartallimin e grupit të zjarrit”,- thotë Braho për "Sot".





