Spartak Ngjela dëshiron të rikthehet në parlament dhe po i bën të gjitha përpjekjet për këtë.

Megjithatë, si një jurist i sprovuar, ai lë gjithmonë një hapësirë. Pyetjes së gazetares, Elona Meço nëse do të merrte pjesë në zgjedhje me partinë e tij Për Ligj dhe Drejtësi, zoti Ngjela iu përgjigj: “Deri tani e kam vendosur, por koha ndryshon.”- tha ai në emisionin “Pa Censurë”.

Si aleatin kryesor, Spartak Ngjela ka zgjedhur Lulzim Bashën, për të cilin ka ndryshuar mendim që nga zgjedhet e kaluara, kur e cilësonte vazhdimisht si një eksperimet të dështuar.

“Edhe mund ta kem thënë, por në politikë jemi. Atëherë e kisha kundërshtar, por në muajt e fundit shoh që ai ka ngritje”.– u shpreh Spartak Ngjela, i cili i ka kërkuar Bashës që ta bazojnë aleancën në një marrëveshje të shkruar, ku të përcaktohen tre pikat kryesore të aleancës.

“Duhet një marëveshje bashkimi, e cila kërkon një strukturë juridike. Duhet përcaktuar sesi do të jetë fushata elektorale, pra kush do ta drejtojë fushatën dhe me çfarë platforme. Dhe e treta janë sa dhe cilat vende do të ketë çdo parti në listën garuese të koalicionit”-tha Spartak Ngjela.

Deri tani, siç pohoi avokat Ngjela, kërkesa e tij nuk është refuzuar nga Lulzim Basha, por nuk ka avencuar në dakordësi konkrete.