Nga DurrësLajm

Data 26, pavarësisht muajit, në kujtesën e durrsakëve do të mbahet mend gjatë. Kur kanë kaluar plot dy muaj, pasojat që la pas tërmeti me magnitudë 6.4, janë të pranishme kudo. Në pallatet e shpallura të pabanueshme, inertet e mbetura aty që nga dita e parë, muret e çara dhe të krisura, kafazet e shkatërruara të ashensorit apo ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike janë dëshmi të forta të shkatërrimeve masive dhe dëmit kolosal që do të vuajë Durrësi për një kohë të gjatë.

DurrësLajm i ka ndjekur dhe pasqyruar hap pas hapi të gjitha zhvillimet që lidhen me tërmetin, që nga minutat e para pas fatkeqësisë natyrore, që shkaktoi 23 viktima në qytetin tonë. Sot, kur data shënon 26 janar 2020, dhe kanë kaluar dy muaj nga ajo datë tragjike po bëjmë një rezyme të gjithçkaje ka ndodhur në këto muaj dhe çfarë pritet të ndodhë në vijim.

Momentet e frikshme të përjetuara në orën 03.54 të asaj të marte të mbrapshtë vazhdojnë të jenë shumë të gjalla në memorien e të gjithëve. Kryqet e kuq në shumë pallate dhe godina, si dhe tabelat “Rrezik shembje” apo “Pallat i Pabanueshëm” shërbejnë për të na kujtuar rrezikun që na kanoset, nëse nuk nis së shpejti procesi i rindërtimit.

Ecejaket e banorëve të mbetur pa shtëpi

Në disa pallate të shpallura të pabanueshme është ndërprerë furnizimi me ujë e me energji, ndërsa në disa të tjerë, ka banorë që sfidojnë fatin dhe vazhdojnë qëndrojnë në katet e larta, që kanë pasur më pak dëme. Janë me mijëra banorët e mbetur të pastrehë dhe që sorrollaten sa nëpër hotele, sa nëpër të afërm apo në shtëpi me qira. Një pjesë e konsiderueshme nuk e kanë marrë akoma bonusin e qirasë, megjithëse shtëpia u është shembur.

Një prej tyre është Pranvera, që banonte tek pallati në lagjen nr.6, shembja e të cilit shkaktoi dy viktima. Që nga data 26 nëntor, Pranvera është e pastrehë dhe qëndron në hotel. Me lot në sy kujton natën kur doli me rrobat e trupit dhe humbi gjithçka kishte investuar në shtëpinë e saj. Vazhdon tregton rroba të përdorura në një dyqan të vogël përballë me pallatin ku banonte.

“Që nga ajo ditë, jeta e familjes sime ka ndryshuar krye këput. Dal përditë këtu në dyqan, por punë nuk ka fare. Gjithçka kishim në apartament i humbëm. Po pres të më dalë bonusi dhe të shkoj në shtëpi me qira”,- thotë ajo.

Si Pranvera janë mijëra banorë të tjerë, që tërmeti i la pa shtëpi. Të gjithë rrinë gjithë sy e veshë se kur do nisë procesi i rindërtimit. Pritja ka nisur t’i lodhë…

Në vizitën e fundit që kryeministri Rama zhvilloi në Durrës, gjatë të cilës shoqërohej nga komisioneri për Zgjerim i BE-së, Olivér Várhelyi, disa qytetarë i kërkuan se kur do të nisë riparimi i dëmeve.

Abuzimet me qiratë dhe qëndrimi në hotele

Deri më tani, sipas bashkisë së Durrësit, nga dy listat paraprake me 3863 emra për subvencionimin e qirasë, 2100 prej tyre kanë kaluar për likujdim në drejtorinë ekonomike. Por kërkesa e madhe për shtëpi me qira u shoqërua me abuzimin e personave të caktuar me çmimin që ofrohen ambientet në lagje të ndryshme të qytetit.

Thuajse në të gjithë Durrësin, çmimet kanë pësuar rritje të ndjeshme dhe të prekur veç të mbeturve të pastrehë, janë dhe ata që qëndronin me qira. Nga lagjja nr.18 vijnë ankesa të shumta sa i përket fenomenit abuzues që po ndodh atje. Konkretisht; te zona pas stadiumit, në afërsi të Fushës së Rërës ku ndodhen vilat private, çmimet janë dyfishuar.

Një familje me 5 anëtarë që jeton prej 12 vitesh me qira në të njëjtën banesë, i paguante rregullisht pronarit të shtëpisë 10.000 lekë të rinj/muaj. Por me të hyrë viti i ri 2020, pronari, duke parë bumin e rritjes së çmimeve në mbarë Durrësin, ia ngriti edhe kësaj familjeje në 180 euro, ose në të kundërt të lirojnë banesën duke iu lënë afat muajin prill.

I njëjti fenomem po ndodh në shumë banesa private 1, 2 apo 3-katëshe në këtë lagje, të cilat tashmë janë kthyer në të preferuara për durrsakët e trembur nga fatkeqësia natyrore. E njëjta gjë po ndodh në lagjet e tjera ku qiratë kanë qenë kryesisht të ulëta; në Spitallë, ish-Kënetë, Shkozet e më tej në Rrushbull, Xhafzotaj. Ndërsa në Shijak, gjetja e një banese të lirë në ato ditë të para pas tërmetit e mbi të gjitha sot, konsiderohet fat i madh. E përballë “këtij fati”, nuk duhet të pyesësh për çmimin e shtrenjtë.

Por, teksa kjo shifër nuk mund të përbëjë problem për të gjithë ata që kanë fituar bonusin e qirasë nga bashkia dhe këtë shumë do ia mbulojnë fondet e shtetit, pjesa tjetër e popullsisë që ka qenë më parë dhe vazhdon të jetojë po me qira, por me të ardhurat personale, kush do ja zgjidhë hallin e rritjes së menjëhershme të këtyre çmimeve?! Ketyre familjeve iu duhet të ngushtojnë portofolin, pasi pronarët abuzues, që nuk ndërgjegjësohen e sensibilizohen me fatkeqësinë që goditi vendin, por mendojnë thjesht për përfitim personal, i kanë ngritur çmimet në “stratosferë”.

Nga ana tjetër, radhët në bashki vazhdojnë përditë dhe të tjerë qytetarë dorëzojnë dokumentet dhe qëndrojnë në pritje të subvencionimit të qirasë. Në hotele vazhdojnë të qëndrojnë 1257 persona, që pritet të akomodohen deri më 31 mars në banesa me qira. Megjithëse shprehen mjaft të kënaqur nga kushtet e ofruara në strukturat hoteliere, qytetarët kërkojnë zgjidhje për problemin e tyre. Ata e dinë se hoteli është një zgjidhje e përkohshme dhe nga dita në ditë do t’u duhet të shkojnë diku tjetër. Në pjesën më të madhe të ditës në hotele qëndrojnë pensionistët, pasi fëmijët i janë rikthyer shkollës, ndërsa të rinjtë dhe prindërit punës. Nga 14 hotele që kanë lidhur kontratën me Ministrinë e Turizmit kanë mbetur vetëm 8, që kanë ende persona të strehuar.

Përgatitjet që duhet të nisin për sezonin turistik

Në kohë normale, strukturat hoteliere në Durrës do të kishin nisur tashmë përgatitjet për sezonin turistik. Zona e plazhit është ndër më të dëmtuarat nga lëkundja sizmike. 5 hotele të shembura dhe të tjerë të dëmtuar. Kreu i shoqatës së turizmit, Eduart Xhepa, thotë për DurrësLajm se pavarësisht dëmeve, hotelet që përballojnë fluksin kryesor të pushuesve janë të padëmtuar. Xhepa deklaron se strukturat hoteliere duhet të lirohen nga qytetarët për t’u bërë gati për verën që po afron, ndërsa shpreh bindjen se sezoni turistik do të jetë mëse normal, pavarësisht tërmetit dhe pasojave të tij.

“Shumica e hoteleve që mbajnë peshën kryesore të turizmit në Durrës nuk kanë pasur dëmtime. Ne po përgatitemi për një sezon turistik që mendoj se do të vijojë normalisht si vitet e tjera. Këtë mbështetje ne e morëm edhe nga samiti i vendeve të rajonit”, thotë Xhepa.

Nga ana tjetër, kreu i Shoqatës së Turizmit ka një apel urgjent për strukturat shtetërore.

“I bëj thirrje shtetit që urgjentisht duhet të marrë masa për pastrimin e të gjitha ambienteve ku ka pasur rrënoja apo dëmtime nga tërmeti, pasi pastrimi përmirëson imazhin”, deklaron Xhepa.

Të ardhurat që ekonomia durrsake përfiton nga sektori i turizmit janë të një rëndësie jetike për shumë familje që deri sezonin e kaluar e kishin lidhur jetën e tyre me këtë sektor. Ndërhyrja e strukturave shtetërore për riparimin e dëmeve do të jetë përcaktuese për ecurinë e sezonit veror në Durrës. 

Biznesi i vogël në udhëkryq, t’i “vërë drynin” apo jo

Vëmendja e strukturave shtetërore gjatë këtyre muajve është përqendruar kryesisht tek qytetarët, por edhe bizneset në Durrës kanë mbetur shumë të dëmtuar. Pasojat janë më të prekshme tek bizneset e vogla, ku me mijëra familje sigurojnë të ardhurat mujore.

Qepena të ulur në katet e para, tabela “Jepet me qira” apo “Shitet”, biznese që janë në pritje të likujdimit të mallit për t’i vënë kyçin aktivitetit tregtar sheh në shumë rrugë e lagje të qytetit.

Ndërkohë, shumë të tjerë që i mbajnë hapur ankohen për uljen e xhiros dhe mungesën e klientëve. Pasiguria për të ardhmen shprehet qartë nga pronarët e dyqaneve apo njësive tregtare. Largimi i njerëzve dhe mos ndërhyrja e shtetit për t’i përjashtuar nga pagesa e taksave për një periudhë të caktuar i ka detyruar shumë biznese të mendojnë mbylljen e aktivitetit.

“Tërmeti më i keq në këtë vend është vetë shteti”, – thotë e revoltuar pronarja e një dyqani ushqimor në lagjen nr.14, ndërsa tregon listat e gjata e borxhlinjve. “Situata ishte keq që para tërmetit, por tani është përkeqësuar edhe më shumë”, – vijon më tej ajo.

Hapësirat e mbetura bosh nga objektet e shembura

Lista e objekteve të shembura ditën e tërmetit apo më pas për shkak të dëmtime të rënda në strukturë është e gjatë. Qeveria ende nuk ka dalë me një vendim konkret se çfarë do të bëhet me këto hapësira. Për disa qytetarë, ato do ishte më mirë të ktheheshin në hapësira publike që në qytet dhe në plazh janë pakësuar gjithnjë e më shumë vit pas viti.

Dy muaj pas shembjes së 5 hoteleve, pallateve dhe shtëpive private që paraqisnin rrezikshmëri të madhe, vendet ku ngriheshin më parë godinat shumëkatëshe vijojnë të jenë të rrethuara. Inertet janë larguar me kohë, por imazhi që ato përcjellin nuk është ai i dëshiruari. Në kujtesën e të gjithëve, pjesa më e madhe e tyre lidhen me jetët e humbura në to dhe investimin e një jete që u zerua brenda pak sekondash…

Drejtësia e munguar

Pas dëmeve kolosale në banesat e Durrësit, revolta popullore ishte e madhe, sidomos ditët e para. Pas 23 viktimave dhe shkërmoqjes apo dëmtimit serioz të mijëra banesave, qytetarët kërkonin që përgjegjësit të shkonin para ligjit. Pritshmëritë e qytetarëve deri më tani nuk janë përmbushur. Në mes të dhjetorit, në pranga u vunë 9 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërkohë që 10 persona të tjerë u shpallën në kërkim. Dy muaj pas tërmetit, asnjë nga të shpallurit në kërkim nuk është kapur, ndërsa gjykata ka liruar disa nga të arrestuarit. Prokuroria ka deklaruar se po punon, por rezultate konkrete qytetarët e Durrësit nuk po shohin deri më tani. Se çfarë do të rezervojë e ardhmja, nuk dihet, por pritshmëritë e banorëve të dëmtuar e jo vetëm janë ulur ndjeshëm.

Dy muaj pas tërmetit, qytetarët po mundohen t’i rikthehen normalitetit të jetës së përditshme. Në fund të ditës, ata duan të dinë se kur do të kenë një shtëpi mbi kokë dhe se kur përgjegjësit për jetët e humbura dhe dëmet që nuk i shkaktoi tërmeti, por dora njerëzore, do të marrin ndëshkimin sipas ligjit. Nisja e procesit të rindërtimit dhe shpejtësia me të cilën do të operohet nga strukturat shtetërore do të përcaktojë kohën sesa gjatë do t’i përjetojnë pasojat e tërmetit qyteti dhe qytetarët e tij.