Flamuri, djali nga Durrësi që pamundësinë fizike e ka kthyer në forcë karakteri dhe burim frymëzimi (VIDEO)

12/04/2019 - 18:49

Flamuri është një djalë i ri nga qyteti i Durrësit, ku ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij fati është treguar i padrejtë, pasi është me aftësi të kufizuar fizike.

Por kjo jo që nuk e ka ndalur të bëjë një jetë mëse normale dhe të zhvillojë të gjitha pasionet që ai ka në jetë, por të jetë edhe shpikës dhe modifikues i makinave të vjetra apo të përdorura.

Me talentin e tij, ai i ka lehtësuar drejtimin e makinave dhe lëvizjen me to për shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara. Çdo ditë e gjen pranë detit, aty ku gjen frymëzimin.

“Deti më jep qetësi, relaks e frymëzim. Shpesh rri përballë tij dhe meditoj, largohem nga çdo stres. Me qytetin tim jam shumë i lidhur, pasi s’ka vend të tij që se kam shëtitur. Me njerëzit jam shumë i komunikueshëm, pavarësisht se sa mundohen të komunikojnë ata me mua. Gjithmonë, zgjedh të kem pranë vetes njerëzit e duhur, që kanë motiv të jetojnë e të ecin përpara me vullnet. Pesimistët s’më pëlqejnë, pasi nuk mësoj asgjë të mirë nga ata. Me keqardhje e them, por kjo është e vërteta”,- thotë djaloshi, i cili është edhe një aktivist i shoqërisë civile.

Por Flamuri është shumë i përkushtuar ndaj makinave, aq sa ka shpikur dhe një mekanizëm për t’i dhënë komoditet në makinë personave me aftësi të kufizuara fizike.

“Shumë njerëz e dinë që merrem me modifikimin e makinave, shumë s’e besojnë që unë kam aftësi për këtë. Gjithmonë, kur arrij në përfundim mbesin të habitur se si ia arrita dhe më përgëzojnë për këtë. Po është e vërtetë që unë bëra një shpikje të madhe, të duhur dhe vendimtare për të vazhduar më tej. Ishte para 6 vitesh kur bleva një makinë 8 vendeshe, me hapësirë për të futur karrocën dhe motorin elektrik. Aty mora një vendim dhe vendosa të bëj një pedan elektrik që të ngjitesha brenda në makinë. U frymëzova nga shprehja e Arkimedit, “të kisha një levë, ku të mbështetesha dhe do të lëvizja botën”, dhe me vullnetin tim e mendjen krijuese, fantazuese, përmbysa pengesën e fatit, theva barrierat e paaftësisë fizike dhe fillova gjithçka nga zero. Bëra pedanën elektrike me dy pjesë, që hapej e palosej thjesht me 2 butona, e cila doli një kryevepër funksionuese, e bukur dhe shumë lehtësuese për jetën time. Që 15 vjeç unë rregulloja makinën time dhe duke u rritur u përkushtova, duke menduar të bëja modifikime të tjera jo vetëm për veten, por edhe për persona të tjerë me aftësi të kufizuara. Duke qenë në të njëjtën pozitë, vendosa që të modifikoja makinat me kambio automatike, duke i kthyer nga vozitja me këmbë, në vozitjen me duar për tetraplegjikët dhe paraplegjikët. D.m.th, pedalet e makinës të përdoren me duar. Në këtë mënyrë ne arrijmë të kemi një makinë të komandueshme që jeta të jetë shumë më e lehtë dhe ëndrra për të pasur një makinë, që mund ta përdorin personat me aftësi fizike të kufizuar të bëhet realitet. Që prej asaj dite e sot unë vazhdoj të merrem me këto modifikime dhe të lehtësoj sado pak jetën e njerëzve që kanë nevojë”,- thotë Flamuri.

Djaloshi, i cili është shembull i mirë për të gjthë të rinjtë, nuk ndjehet i paragjykuar. Nëse moshatarët e tij janë të papunë apo ankohen, Flamuri me këmbëngulje sfidon jetën duke punuar dhe vlerësuar familjen e tij e kryesisht nënën e tij.

“Përsa i përket gjendjes time fizike unë veten s’e paragjykoj asnjëherë. Eci përpara, dal nëpër qytet me motorin tim me bateri, lëviz me karrocë gjithmonë me kokën lart dhe pa ndrojtje fare. Atë që unë vuaj në trupin tim e ndjen vetëm një në botë, nëna ime, mbretëresha ime. Mesazhi që kam për njerëzit është paksa agresiv, flas për ata që paragjykojnë, u them se, njeriut duhet t’i shihet puna e jo guna. Njerëzit në nevojë duan buzëqeshje, duan mirësjellje dhe jo një shikim me keqardhje dhe plot mëshirë. Stop mëshira, vetëm buzëqeshje. Sepse ne kemi jetë me pengesa, por pengesat dhe vështirësitë për t’u kaluar janë, nuk dorëzohet jeta para pengesave”,- e mbyll rrëfimin e tij Bala.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

*(In Memoriam për Djemtë e Kostë dhe Maria Boshkut)

Nga Gëzim Kabashi

Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihet në ndarjet e reja administrative si lagjja nr 11, kalonte çdo ditë një

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i

Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundi

Nuk ka qytet në Shqipëri për të cilin të jetë shkruar më shumë se sa për Durrësin, po ashtu edhe për portin e tij.

Duke lundruar dhe u lëkundur mbi barkë, vetëm kështu mund t’i pikasësh një buzëqeshje në fytyrë Anna Ninës.

*Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qenë, është dhe do të mbetet epopeja më e lavdishme e popullit tonë.