Me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të APD, Afrim Bakaj, një grup përfaqësues nga porti i Antwerpit (Belgjikë) vizituan dje portin e Durrësit dhe u njohën me projektet e ardhshme të tij.
Vetëm pak javë pas vizitës së tij në portin belg, drejtori Bakaj priti në mjediset e APD konsulentin, Nico Suys, menaxherin e projekteve Stefan Cassimon dhe drejtuesin tregtar në këtë port, Ardian Lekaj.
Në takimin ku merrnin pjesë disa nga drejtuesit e drejtorive dhe nga stafi inxhinjerik, specialistët nga Belgjika u njohën me një historik të shkurtër të portit të Durrësit, me funksionimin e APD dhe atë të Terminaleve, si dhe me investimet e ardhshme.
Palët ranë dakord për një bashkëpunim të afërt dypalësh, i cili synon trajnimin e stafit të APD, mbi bazën e nevojave të tij.
Përfaqësuesit e APD kërkuan mbështetje për azhornimin e Masterplanit portual, ndërsa specialistët e huaj pasi prezantuan mënyrën e funksionimit të portit të Antwerpit, shfaqën interes mbi projektin e thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të portit të Durrësit.
Në përfundim të takimit që zgjati afro 2 orë konsulentët nga Belgika zhvilluan një vizitë në kalatat e Terminalit Perëndimor.