24 korrik 2015 – Me një lojë mjaft të mirë, Kukësi ka bërë mrekullinë në Podgoricë ku me katër golat e shënuar në portën e Mlladost ka përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë luajtur përpara një jave në Tiranë dhe me meritë kalon në turin e tretë të Europa League.
Nënkampionët e Shqipërisë kanë befasuar vendasit kur në harkun kohor të 32 minutave kanë realizuar tri gola, fillimisht në minutën e 13-të me brazilianin Moreira, më pas Pejic në minutën e 19-të dyfishon rezultatin dhe në minutën e 32-të Flores i jep një tjetër shuplakë vendasve duke shënuar dhe golin e tretë, dhe me këtë rezultat 0 – 3 për miqtë nga Kukësi mbyllet dhe pjesa e parë e lojës.
Edhe në pjesën e dytë kuksianët luajnë mirë dhe ruajnë ritmin e pjesës së parë. Në minutën e 62-të Stepanoviç realizon golin e parë për Mlladost duke ngushtuar diferencën e golave në 1-3.
Pas 10 minutash lojë Kukësi godet sërish duke realizuar dhe golin e 4-ët sërish me Pejiç që realizon dopietë në këtë takim. Vetëm 3 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, Mlladost me anë të Haxhoviç shënon golin e dytë, por pa cenuar aspak këtë fitore të madhe të Kukësit, pasi kohë nuk ka më dhe Kukësi merr një fitore të çmuar 4-2 ndaj një kundështari që i kishte mundur vetëm një javë më parë në shtëpi.
Ky sukses ndaj malazezëve të Mlladost kalon Kukësin në turin e tretë të Europa League ku e pret Legia e Varshavës një nga skuadrat legjendë dhe me emer në futbollin polka.
Ky rrugëtim deri në turin e tretë ka shtuar dhe arkëtimet në arkën e klubit në një vlerë totale prej 630 mijë eurosh.
Po cila është skuadra e Legia së Varshavës që sfidon Kukësin në turin e tretë të këtij kompeticioni?
Legia është një skuadër me mjaft emër dhe traditë në futbollin polka. Eshtë themeluar nga ushtarakët vendas në mars të vitit 1916. Eshtë 10 herë kampione e Polonisë, disa herë pjesëmarrëse në kompeticionet europiane duke avancuar madje dy herë deri në gjysmëfinale, në vitin 1970 në Champions League ku u eliminuan nga Fejnord dhe në vitin 1991 në Europa League ku u eliminuan nga Mançester Junajtid. Trajneri aktual është norvegjezi Henning Berg që e ka marrë drejtimin e Legias në janar të vitit 2014
Ndeshjet e saj i luan në stadiumin “Polish Army Stadium” te Varshavës, që ka një kapacitet prej 31.100 vendesh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/