Gjermania është kthyer. Ky është ndoshta lajmi më i mirë për tifozët  europianë, pasi skuadra gjermane, në vështirësi të mëdha në këto vite, që pas suksesit në Botërorin e Brazilit, është shfaqur përsëri ajo skuadra e frikshme e disa viteve më parë me një lojë ofensive e gola të shënuar.

Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv ka dhënë një provë të mirëfilltë force sot ndaj Portugalisë, duke fituar me përmbysje në një nga sfidat më të bukura të turneut.

Gjermanët e nisën takimin mirë duke sulmuar, por goli i parë do të ishte i portugezëve me një kundërsulm të finalizuar nga Kristiano Ronaldo. Megjithatë, entuziazmi i kampionëve në fuqi të Europës do të zgjaste shumë pak, pasi më dy kundërzbritje të rrufeshme, Gjermania përmbysi gjithçka falë autogolave të Ruben Dias e Guerrieiro.

Fillimi i pjesës së dytë ishte mbresëlënës për gjermanët, të cilët dominuan e shënuan dy gola të shpejtë me Havertz e Gosens për të çuar shifrat në 4-1. Portugalia nuk u dorëzua, teksa gjeti golin me Zhota e më pas, Renato Sançez goditi shtyllën me një predhë nga distanca.

Por pavarësisht insistimit portugez në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi më dhe Gjermania e sheh veten në një pozicion shumë më të favorshëm për të vazhduar rrugëtimin në Euro 2020, ndërsa portugezët do të duhet të diskutojnë gjithçka në sfidën e fundit me Francën.