Me erën që sot e kishin aleatin e tyre, 30 sportistë  “vallëzuan” mbi dallgë në bregdetin e Sektorit Rinia, në Durrës.  

Të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vendet fqinje, këta të rinj i bashkon pasioni për kitesurf-in, këtë sport ekstrem, por që vitet e fundit po njeh gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij.

Me adrenalinën në kulm, akrobacitë mbi dallgë dhe parashutat shumëgjyrëshe, admiruesit e kësaj disipline sportive dhuruan një spektakël të vërtetë në bregdet. Në garë me njëri-tjetrin, por edhe kushtet atmosferike, sportistët pjesëmarrës u munduan të japin më të mirën e tyre në këtë debut të parë në kampionatin kombëtar.

“Sot po zhvillojmë dy disiplina: kitesurf dhe wing surf. Janë rreth katër ekipe pjesëmarrëse, ku përveç shqiptarëve marrin pjesë edhe të huaj nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Gjermania, kryesisht turistë që e preferojnë shumë këtë sport. Sektori Rinia është një vend special për kitesurf. Era godet jashtëzakonisht mirë dhe ka potencial për zhvillim, sepse ka kërkesa si nga vendasit ashtu edhe nga të huajt.”- deklaroi Fation Konçi, Presidenti i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it.

Ashtu si edhe sporti që ata e dashurojnë, të apasionuarit pas kitesurf-it përcollën një atmosferë elektrizuese, plot energji dhe adrenalinë tek ata që ndoqën nga toka spektaklin e krijuar në ajër dhe det.

Organizatorët e këtij kampionati të parë kombëtar në këtë disiplinë të sporteve ujore eketreme synojnë që takimi i sotëm të jetë vetëm i pari i shumë të tjerëve, që do ta pasojnë në të ardhmen.

Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të vendoset në vitet në vijim në hartën e destinacioneve të preferuara për sportet ujore në Mesdhe.

M.B.