Nga Adela Vllamasi

Durrës 14 maj 2014 – Sot, në të gjithë botën është përhapur tendenca e vlerësimit të produkteve të lidhura ngushtë me territorin e një vendi të caktuar, në krahasim me krijimin e markave dhe produkteve që eksportohen jashtë. Rrjedha e historisë ka treguar se teknologjia e prodhimit është huazuar shumë shpejt nga vende të tjera, të cilat fillimisht kanë importuar këto produkte.

Kjo është arsyeja se përse vendet kërkojnë të zhvillojnë potencialet ekzistuese në territor, gjë që mundëson të ardhura të pëlqyeshme dhe për të cilat gëzojnë ekskluzivitetin nga territore të tjera. Territori dhe turizmi janë premisat kryesorë të këtij afirmimi dhe përbëjnë një motiv të fortë të faktit se përse vendi ynë duhet t’i japë prioritet zhvillimit të këtij sektori. Shqipëria është nën influencën e fenomenit të globalizimit, gjë e cila përcaktohet nga ndërfutja e fuqishme e teknologjisë së komunikimit dhe hapat e jashtëzakondëshme të përhapjes së informacionit. Kështu, jo vetëm që duhet të përshtatemi ndaj këtyre ritmeve, por duhet të projektojmë zhvillimin, në kuadrin e këtij globalizimi, duke ruajtur njëkohësisht vlerat autentike të vetë territorit.  Një ndër tendencat më aktuale është edhe ajo e marketingut territorial, e cila trumbeton fuqishëm një ide forcë të territorit.

Në këto kushte, për të zhvilluar turizmin kulturor në vendin tonë dhe si pasojë një ide forcë, duhet të kërkojmë ato simbolika që e përfaqësojnë më së miri territorin. Kështu, këto ditë Shoqata “Natyra për Njeriun”, e cila operon në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, ka identifikuar një simbol interesant, atë të një spirance të madhe hekuri, në afërsi të Qëndrës Kulturore të Fëmijëve, Durrës. Shumëkujt nga ne mund t’i ketë rënë në sy ky objekt i braktisur, por vetëm kjo shoqatë vendosi, që nëpërmjet kërkesës drejtuar Bashkisë së Durrësit, t’i japë vlerë këtij objekti dhe ta materializojë nismën e saj duke e kthyer këtë spirancë, në një monument, në hyrje të Durrësit. Bashkia e Durrësit u përgjigj pozitivisht lidhur me propozimin e bërë për pozicionimin e këtij objekti në formë monumentale. Ky objekt përbën një simbol historik për qytetin, i cili mendohet se daton që nga koha e pushtimit italian. Por, njëkohësisht, kjo iniciativë do ta shndërronte atë në një pikë të rëndësishme referimi për qytetin e Durrësit, si për vendasit ashtu edhe për të huajt. Po kështu, objekti, përbën një simbol të fuqishëm të detit, por mbi të gjitha, një vlerë të shtuar për qytetin tonë.  Për ta përmbyllur këtë artikull, uroj që ide të tilla të nxisin mendime të tjera po aq kreative, në mënyrë që gjithësecili prej nesh të kontribuonte për diçka të re dhe më vlerë për t’ia evidentuar qytetit tonë të bukur bregdetar, me qëllim zhvillimin e turizmit dhe një marketing territorial sa më efektiv për Durrësin.

/Bulevardionline/