-Njeriu që mësoi qytetin të marrë frymë

BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në qytetin ku deti flet me zë të ulët

Durrësi nuk i do njerëzit e zhurmshëm. I duron, por nuk i mban. Ky qytet i vjetër, me kripë në mure dhe histori në sheshe, i njeh mirë ata që flasin shumë dhe ata që qëndrojnë. Deti i tij është mësues i heshtur.

Durrësi i njeh dallgët e mëdha. I ka parë të përplasen, të bëjnë zhurmë, të ikin. Por qyteti e di mirë, se forca e vërtetë e detit nuk është dallga, por bunaca që mban peshën e thellësisë. Në këtë qytet, për dekada, jeton dhe ka punuar një mjek, që i ngjan kësaj bunace. Është Spiro Musha.

Nuk ka hyrë në jetën e qytetit si protagonist, si portret që kërkon vëmendje, por si prani. Dhe prania, kur është e vërtetë, nuk ka nevojë për zë të lartë. Ka njerëz që i njeh nga fytyra. Ka të tjerë që i njeh nga zëri.

Spiron e njeh nga ndjenja e sigurisë që lë pas. Nga mënyra si e mbush dhomën pa e pushtuar. Nga qetësia që nuk të qetëson sepse është e butë, por sepse është e sigurt. Është nga ata njerëz, që nuk i sheh duke nxituar, por i sheh gjithmonë duke mbërritur në kohë.

Në spital, në port, në urgjencë, në biseda profesionale, emri i tij nuk u bë kurrë thirrje, por referencë. Dhe referencat nuk bërtasin, ato përdoren. Në një vend ku mjekësia shpesh është luftë, ai ka qenë ekuilibër. Në një shoqëri që shpesh ka humbur durimin, ai ka qenë masë. Në një kohë tranzicionesh, ka qenë busull. Ky shkrim nuk është për ta ngritur mbi të tjerët. Është për ta vendosur në vendin e tij natyror. Aty ku njeriu, profesioni dhe qytetaria bëhen një.

Në një qytet që ka parë tranzicione, lëvizje, rrëmujë dhe qetësi të rreme, Spiro Musha ka qenë mundësi ekuilibri. Djali me origjinë nga Berati, kishte nisur rrugëtim të veçantë, një karrierë që do të ndriçonte mjekësinë dhe jetën shoqërore të qytetit.

Fëmijëria e tij në Durrës, nuk ishte vetëm lojë dhe argëtim, por shkolla e parë e sakrificës dhe e disiplinës. Noti në Currilat, kodrat e Vilës dhe sfidat e ditëve të para të shkollës, e mësuan të qëndrojë i qetë, të kuptojë sfidën dhe të ndërtojë karakterin. Çdo goditje dore në ujë, çdo ngritje mbi kodër, ishin gurët themelorë të humanizmit dhe kurajos që do të çfaqej më vonë.

I lindur më 20 dhjetor 1942 në Durrës dhe i rritur në atmosferë konkuruese, ku pasioni për mësim dhe energjia e padukshme e vetëdijes së re, e bënë të dallohej mes bashkëmoshatarëve.

Në vitin 1960, fakulteti i mjekësisë në Tiranë, nuk ishte vetëm hap drejt profesionit, por edhe drejt një jete ku çdo vendim, do të matej me humanizëm dhe aftësi. Aty u ndërtua baza për profesionin e tij të ardhshëm. Kombinoi dije teorike me aftësi praktike, duke çfaqur kuriozitet të pakufi dhe dashuri për mjekësinë.

Mirdita guri që nuk fal dhe njerëzit që nuk ankohen

Mirdita u bë për Spiron provë karakteri. Territor i thellë, i ashpër, me rrugë të pakta, me varfëri të trashëguar dhe me ndjenjë dinjiteti që nuk e shfaq, por e mbron. Në vitet 60-të, Mirdita ishte larg qendrës jo vetëm gjeografikisht, por edhe institucionalisht. Shëndetësia ishte minimale, infrastruktura e brishtë, nevojat të mëdha.

Pikërisht aty mbërrin një djalë i ri, i cili sapo kishte mbyllur Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Pa përvojë drejtimi, por me dije të freskët dhe me ndjenjë përgjegjësie që nuk i përshtatet moshës. Spiro Musha emërohet drejtor i spitalit të Kurbneshit. Jo si shpërblim, por si nevojë e sistemit. Dhe Mirdita nuk fal improvizimin.

Gjeti një realitet të zhveshur. Mungesë mjetesh, mungesë personeli, mungesë rruge. Por gjeti edhe njerëz që nuk ankoheshin, vetëm prisnin. Dhe aty, mes asaj pritjeje të heshtur, Spiro Musha kuptoi diçka themelore, mjekësia nuk fillon me aparaturën, por me besimin.

Në Kurbnesh, në Kaçinar, në Rrëshen, nuk ishte vetëm mjeku. U bë organizator, drejtues, njeri që mbante fjalën. U desh të mësonte shpejt, të vendoste shpejt, të përballonte përgjegjësi që zakonisht u jepen burrave me thinja, jo të rinjve pa përvojë. Mirdita e bëri të fortë. I mësoi të mos ankohej. Të mos kërkonte kushte ideale. Të bënte maksimumin me minimumin. Dhe kjo shkollë nuk gjendet në asnjë universitet.

Gjatë viteve që qendroi këtu, Spiro krijoi miqësi të forta me kolegë si Jorgo Kosta, Odise Marto, Muhamet Troplini, Ilir Kalaja dhe Roland Prifti. Këto lidhje nuk ishin vetëm profesionale. Ato u bënë rrjete besimi dhe bashkëpunimi, të cilat do ta shoqëronin gjatë gjithë kohës. Qartë e kuptoi, se një mjek i mirë nuk mund të punojë vetëm, por duhet të ndërtojë ekipe aktive dhe të bashkuara.

Porti, Flota Tregtare dhe aventurat në oqean

Në vitin 1973, Spiro Musha mbërriti në Durrës, qytet i gjallë, plot lëvizje dhe mundësi. Deri në vitin 1985, ushtroi detyrën e mjekut të përgjithshëm në institucione dhe qendra pune. Nga kjo periudhë 4 vite “anija” e tij e punës, u ankorua në portin detar dhe flotën tregtare. Udhëtimet në oqean, ishin të tjera afirmime të shkollës së mirfilltë të humanizmit dhe përkushtimit, që kishte krijuar ky njeri i bluzës së bardhë.

Porti Detar i Durrësit, është një botë e veçantë. Zëra anijesh, erë e kripur, lëvizje e pambaruar, ku çdo ditë krijoheshin sfida të papritura. Spiro duhej të ishte gjithmonë i gatshëm. Porti u bë shkollë e jetës. Deti i mësoi disa gjëra të thella.

Qetësia në situata ekstreme nuk është luks, është nevojë për mbijetesë, është gur i qendrueshëm mes dallgëve. Besimi i stafit dhe i komunitetit, është çelësi i çdo vendimi të saktë. Humanizmi dhe vendosmëria mund të shpëtojnë jetë edhe kur çdo gjë duket e pamundur.

Jeta në port dhe flota tregtare nuk ishte vetëm punë. Ishte shkollë për karakterin. Çdo stuhi, çdo emergjencë, çdo situatë e papritur e bëri Spiron më të vendosur, më të fortë dhe më të aftë, për të marrë vendime të sakta. Këto mësime do të shërbenin më vonë, kur Spiro do të merrte drejtimin e Urgjencës dhe Pathologjisë në spitalin e Durrësit.

Mësoi të kombinojë përvojën e Mirditës me guximin e detit. Organizim, menaxhim stafesh, trajtim emergjencash, dhe gjithmonë një qasje humanitare ndaj çdo pacienti. Musha u bë referencë profesionale, jo vetëm për mjekët e portit, por për të gjithë komunitetin e Durrësit.

Deti nuk njeh gabime, nuk pranon vonesa. Për një mjek, çdo rast emergjence mbi anije është test i aftësive, guximit dhe maturisë. Spiro e kuptoi këtë menjëherë. Udhëtimet e para në det, i dhanë një shije të fuqishme të izolimit, rrezikut dhe përgjegjësisë.

Rasti i anijes “Vlora” dhe shpëtimi i jetës së marinarit

Ishte një udhëtim në mes të Oqeanit Indian. Një marinar u sëmur rëndë nga apendisiti. Stuhitë dhe izolimi e bënin çdo trajtim emergjent të pamundur, por Spiro nuk u tremb. Mban në lidhje të gjithë ekipin. Diagnostikon, vendos planin e veprimit dhe bind kapitenin të kthejë anijen drejt Jemenit. Koha nuk priste. Jeta e marinarit ishte në fije të perit. Sherbimin e urgjencës, i ra t’ia bëntë një kirurg rus.

Përrallat e kohës, që për shkaqe politike nuk i mundësohej shërbimi nga doktori rus, Spiro iu përgjigj me betimin e Hipokratit, para të cilit të gjitha bluzat e bardha janë të barabartë. Vlora ndryshoi destinacion dhe udhëtoi12 orë për të kapur portin më të afërt.

Spiro ishte i vetmi që veproi, duke shpëtuar një jetë dhe duke treguar se një mjek është udhëheqës në çdo situatë, qofshin ato oqean apo sallë operacioni. Tregoi aftësinë për të vendosur jetën e pacientit mbi çdo gjë tjetër, duke u bërë shembull për të gjithë.

Karriera në Durrës dhe rritja profesionale

Në Durrës, karriera e tij nuk është rastësi. Bëhet shef urgjence, sepse e përballon presionin. Bëhet shef patologjie, sepse ka mendim klinik. Bëhet nëndrejtor spitali, sepse kupton sistemin. Asgjë nuk i jepet falas. Çdo shkallë është e fituar.

Spiro Musha është figurë ambicioze, por jo e pangopur. Ambicia e tij nuk është për titull, por për funksion. Dëshiron që sistemi të ketë logjikë. Që spitali të mos jetë kaos i menaxhuar, por organizëm funksional.
Rregullorja e Shërbimit Spitalor që hartoi, është pasqyrë e kësaj mendësie. Qartësi, përgjegjësi, standard. Dokument që nuk u ndërtua për dekor, por për zbatim. Dhe fakti që ende qëndron, tregon se është ndërtuar mbi gur, jo mbi rërë.

Shërbimi i Urgjencës në Spitalin e Durrësit, ishte kapitull i rëndësishëm i ecurisë dhe pjekurisë profesionale. Ndërtoi sistem të organizuar, ngriti standarde për trajtimin emergjent dhe krijoi klimat e sigurisë dhe respektit, në repartin më të vështirë të spitalit.

Kur mori drejtimin e pathologjisë, solli qasje të re dhe strukturë të zhdërvjellët, që ndikoi tek të gjithë mjekët dhe infermierët. Vendimet që merrte ishte të matura, të bazuar në përvojën dhe njohuritë e grumbulluara gjatë viteve të punës.

Në pozicionin e nëndrejtorit të spitalit, Spiro rriti shkallët e aftësisë duke manifestuar vizion dhe vendosmëri. Krijoi strukturë, disiplinë dhe standarde që nuk u harruan. Rregulloret e hartuara, formatet e matjes së performancës dhe protokollet e akreditimit, nuk ishin vetëm dokumente burokratike, por u bënë udhërrëfyes i jetës së pacientëve dhe i punës së stafit.

Spiro nuk mbeti thjeshtë mjek, por njeri i qetë, i urtë, me energji të pashtershme dhe kurajo për të përballuar sfida të jashtëzakonshme. Çdo vendim, çdo veprim, çdo orë e punës i shërbente një qëllimi të vetëm, të shpëtonte jetët dhe të ndërtonte shërbim spitalor, që të ishte i besueshëm dhe i standardizuar.

Spitali i Durrësit u ngrit në nivel kombëtar. Standardet e performancës dhe cilësisë, u respektuan dhe u monitoruan vazhdimisht. Shërbimi i Spiros në këtë periudhë u bë referencë për të gjithë Shqipërinë dhe veprimet e tij janë përdorur si referim për spitale të tjera.

Spiro hartoi Rregulloren e Shërbimit Spitalor, duke ngritur strukturë, protokolle dhe disiplinë që ende përdoren. Bashkëpunoi me drejtor Kristo Huta dhe ekonomist Haki Çopani në programin pilot të reformës, duke bërë që spitali i Durrësit të shndërrohet në shembull kombëtar.

U bë anëtar i Bordit Drejtues të spitalit që nga formimi i tij. Nga viti 2004, si Kryetar i Urdhërit të Mjekëve për Qarkun e Durrësit, Spiro Musha ka qenë zë i matur, në një kohë kur zhurma shpesh e mbulonte arsyen. Urdhërin nuk e ka parë si podium, por si instrument etike. Kjo tregon se ndikimi i tij shtrihet përtej urgjencave dhe patalogjisë, duke prekur gjithçka që lidhet me shëndetin publik dhe profesionin mjekësor.

Reflektimet, humanizmi dhe filozofia e jetës

Në çdo vendim, në çdo emergjencë, humanizmi ishte udhërrëfyesi kryesor. Besonte se një mjek, nuk duhet të jetë vetëm teknikisht i aftë, por të kuptojë frikën dhe dhimbjen e pacientit, të jetë bashkë me të dhe për të. Ky humanizëm nuk është vetëm etikë profesionale, por edhe filozofi e jetës. Për Spiron, çdo njeri ka të njëjtin vlerë. Çdo shprehje shqetësimi ose dhimbjeje duhet dëgjuar dhe çdo pacient, meriton përkujdesje maksimale dhe respekt të plotë.

Spiro Musha e ka jetuar jetën, me vendosmëri dhe ndjeshmëri të rrallë. Për të, çdo ditë ishte mundësi për të mësuar, për të ndihmuar, për të përmirësuar dhe për të lënë pas një gjurmë që mbetet. Nuk ka ekzistuar kurrë ndarje, mes profesionit dhe jetës personale. Për Spiron, secila përvojë, çdo sfidë dhe çdo sukses, është pjesë e një rrugëtimi të vetëm, shërbimi ndaj jetës tek njerëzit në pamundësi.

Spiro shpesh kujton ditët e fëmijërisë në Durrës, udhëtimet nëpër oqeane dhe sfidat e hershme në spitalet e Mirditës. I shikon këto si gurët themelorë që formuan karakterin dhe aftësitë e tij, duke e bërë të kuptojë se çdo përvojë ka mësimin e vet.

Familja, qytetari dhe miqësia

Vasilika, bashkëshortja e Spiros, është figurë e veçantë në jetën e tij. U njohën kur ishte arsimtare në Rrëshen. Respekti, dashuria dhe besimi ishin themelet e çdo vendimi. Lidhja e tyre u forcua nga puna, sfidat dhe përkushtimi ndaj njerëzve.

Dy vajzat e tyre, të cilat studiuan në Sofje dhe më pas në Amerikë, janë fruti i pasionit për edukimin dhe vlerat familjare. Spiro dhe Vasilika kujdeseshin që ato të rriteshin me ndjenja përgjegjësie, humanizmi dhe kurajo, duke reflektuar standardet e larta morale dhe intelektuale të prindërve të tyre.

Spiro nuk u ndal vetëm tek familja. Krijoi miqësi të thella dhe të qëndrueshme, nga shokët e fëmijërisë tek kolegët e spitalit. Miqësitë me Jorgo Kosta, Odise Marto, Riza Xhepa, Miri Hoti, Mikel Noçka, Petraq Ikonomit, Bashkim Habibi dhe Taqo Gjergo janë shembull i besnikërisë dhe respektit reciprok.

Spiro nuk mbeti vetëm brenda mureve të spitalit. U bë figurë e njohur dhe e respektuar në Durrës, duke marrë pjesë në veprimtari shoqërore, udhëhequr dhe ndihmuar në projekte komunitare dhe duke u gjendur pranë të rinjve të zhvillojnë aftësitë dhe pasionet e tyre.

Trashëgimia e Spiros Mushës, nuk janë vetëm rregulloret dhe protokollet, por mijëra jetët e shpëtuara, mijëra zemrat e qeta dhe mijëra shpresat që i ka mbështetur. Me këtë rast ka treguar, se një mjek nuk është thjesht profesionist, por edhe udhëheqës, mentor, qytetar dhe njeri që bën diferencën.

Çdo jetë ka të njëjtën vlerë. Çdo vendim ka ndikim. Çdo ditë është mundësi për të dhënë më të mirën. Humanizmi, sakrifica, vendosmëria dhe qetësia, janë parimet e tij të jetës. Profesioni dhe morali ecin dorë për dorë, duke treguar se një mjek i madh është gjithashtu një njeri i madh.

Spiro Musha është i lidhur me natyrën dhe aktivitetin fizik. Noti në Currila, kodrat e Vilës, shëtitjet në male, dashuria për sportet dhe udhëtimet në Shqipëri dhe më gjerë i dhanë energji dhe qetësi për punën dhe jetën. Çdo pasion ishte një mësim për disiplinën, vendosmërinë dhe humanizmin.

Spiro Musha është një mjek, drejtues, qytetar, baba, shok dhe mentor, i cili ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshëm në mjekësinë shqiptare dhe jetën shoqërore. Historia e tij është një udhëtim i jashtëzakonshëm nga prapambetja e Mirditës tek drejtimi i spitalit modern të Durrësit, nga noti në Currila dhe kodrat e Vilës, tek furtunat e oqeanit, nga pasionet sportive tek reflektimet filozofike.

Forca e vërtetë në heshtje

Në një kohë kur vlerat shpesh harrohen, profili e tij na kujton, se personaliteti profesional është forma më e lartë e detyrimit. Spiro Musha është nga ata njerëz, që nuk i shikon në ballë të historisë, por pa të cilët historia do të ishte më e varfër. Nuk ka nevojë të zbukurohet. Ka jetuar një jetë që qëndron vetë.

Ky shkrim nuk është për ta bërë më të madh. Është për ta vendosur në pozicionin që i takon. Është mjek i kohës, qytetar i përgjegjshëm, drejtues me arritje, njeri me etikë të brendshme.

Musha nuk është figurë e legjendës, por e qëndresës profesionale. Dhe në një kohë kur shoqëria kërkon shembuj të shpejtë, historia e tij na kujton diçka të thjeshtë. Vlerat e vërteta ecin ngadalë, por arrijnë. Nuk u thye. Nuk doli nga shinat. Nuk humbi drejtimin. Forca e vërtetë, bën vend në heshtje brenda suksesit.

Mbetet shembulli i njeriut që punon pa u lodhur, mëson pa u ndalur dhe jep pa pritur shpërblim. Dhe për lexuesin, portreti i Spiros mbetet thurje e fuqishme e dijes, energjisë, thjeshtësisë dhe humanizmit.

Spiro Musha, nuk lakohet formalisht si emër në historikun e spitalit të Durrësit, por edhe si dukuri e prekshme e shëndetit publik, e respektit profesional dhe e humanizmit qytetar. Për dekada, ka ndërtuar jo vetëm karrierë të spikatur, por edhe trashëgimi të qëndrueshme, që shtrihet tek kolegët, pacientët, miqtë dhe qytetarët e zakonshëm.

Durrësi e ka parë në role të ndryshme. Mjek të përgjithshëm, mjek porti, mjek anijeje, shef urgjence, shef patologjie, nëndrejtor spitali, koordinator cilësie, drejtues akreditimi, kryetar i Urdhrit të Mjekëve. Por mbi të gjitha, qyteti e njeh si figurë besimi. Dhe besimi nuk ndërtohet me tituj. Ndërtohet me kohë.

Në trenin e jetës pa rrudha në shpirt

Treni i jetës së Spiro Mushës, ka kaluar tunelin e thellë të dekadave. Çdo vit i shtuar nuk e ngadalësoi, nuk e zmbrapsi, nuk e lodhi. Përkundrazi. Ka udhëtuar në male të thella, ku rruga harxhonte energji, ka kaluar oqeane të stuhishme, ku çdo valë ishte provë e aftësisë, ka kaluar korridore spitalesh, ku çdo vendim shpëtonte jetë.

Dritat e stacioneve të Durrësit dhe të qyteteve përreth, reflektojnë dukshëm mbi binarët. Treni nuk ndalet. Nuk pret. Nuk shikon pas. Merr çdo pasagjer me vete. Shoqërinë që e njeh dhe e respekton, familjen që e do dhe e ndjek, profesionin që e mbështet dhe e lartëson. Çdo vendim, çdo orë pune, çdo krizë e menaxhuar, çdo pacient i shpëtuar, janë pjesë e këtij treni që nuk ndalet.

Spiro Musha është 84 vjeç, por nuk ka rrudha në shpirt. Nuk ka ngrirë në kujtime. I kthjellët, i fortë, i qetë si bunacë, por i fuqishëm si rrymë nënujore. Energjia e tij nuk ka humbur. Është akumuluar. Është mineral i pastër që digjet vetëm kur duhet, por i qëndrueshëm si gur.

Në këtë epilog, treni merr drite, por ndan me ne edhe mesazhin e fortë. Forca nuk matet me zhurmë, por me qëndrueshmëri. Dinjiteti nuk fitohet me tituj, por me veprime. Jeta nuk është ajo që pret, por ajo që bën vetë, me mendje, me zemër, me dorë të drejtë.

Treni del nga tuneli. Merr dritë. Zgjerohet horizonti. Tashmë shohim se çdo kilometër udhëtim ishin jo vetëm të një mjeku, por të një njeriu të vlefshëm. Një njeriu që nuk u nda nga përgjegjësia, nga shoqëria, nga familja, nga profesioni. Një njeriu që na tregon, se edhe në moshën më të avancuar, lokomotiva e jetës mund të ecë me shpejtësi, saktësi, maturi dhe siguri.

Ndërsa drita shkon deri tek vagonat e fundit dhe horizonti çfaqet i hapur, një gjë mbetet e qartë. Ky tren nuk ndalet. Është model, udhëheqës, simbol i një force që nuk matet me vitet, por me ndikimin dhe pasurinë që lë pas vetes.

Bujar Qesja
Durrës: 6 shkurt 2026