DURRES, 24 mars 2013– Forumi Rinor Eurosocialist i Durrësit ka mbajtur dje një takim të hapur me të rinjtë e ish-Kënetës, një ndër lagjet me problematike të Durrësit, por njëkohësisht e njohur si një bastion i Partisë Demokratike. Por, ditën e djeshme me qindra të rinj nga kjo zonë i janë bashkuar FRESSH dhe Partisë Socialiste.
Në takimin e zhvilluar dje në Pallatin e Kulutrës në Durrës me të rinjtë e ish-Kënetës ka marrë pjesë kryetarja e FRESSH, Elisa Spriopali dhe kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako. Kryetarja e FRESSH dhe Kryetari i Bashkisë Durrës për rreth 2 orë i janë përgjigjur të gjitha pyetjeve që të rinjtë e kësaj zone kanë adresuar.
Pyetjes së një prej të rinjve nga zona e Durrësit të Ri, siç ata kërkojnë që të quhet tani e tutje, se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për punësimin e të rinjve, Elisa Spiropali u shpreh:
“Ne do të aplikojmë një skemë të re dhe moderne për të punësuar të rinjtë. Do t’i mbështesim ata me mikrokredi të vogla, ku secili prej jush nëse ka një ide të mirë për të bërë biznes, por nuk ka para, do të mbështet dhe financohet. Këto mikrokredi do të kenë interes shumë të vogël, aq sa nuk do të ndikojë aspak në xhepat e të rinjve. Ndërkohë që nëpërmjet agjensisë që do të krijohet posacërisht për këtë projekt dhe zonave të posaçme për të zhvilluar bizneset e të rinjve, gjithsecili prej jush do të ketë akses. Gjithashtu heqja e taksës për biznesin vogël do të jetë një tjetër masë e cila do të rrisë punësimin e të rinjve shqiptarë”, deklaroi kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali.
Ndërkohë që kryetari i Bashkisë Vangjush Dako iu përgjigj pyetjeve në lidhje me problematikën e infrastrukturës në këtë lagje. Ai u shpreh se me qeverinë e Rilindjes pas 23 Qershorit kjo zonë do të transformohet në një Durrës të Ri.





