Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha pas daljes nga Kuvendi, se opozita kërkon që ditën e shtunë të djegë Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Spiropali tha se veprimi që bëri sot deputeti i PD-së, Edi Paloka ishte një shfaqje e shëmtuar. Nga spërkatja me bojë që ai i bëri kryeministrit, u prek edhe Spiropali.

"Opozita në protestën e të shtunës do ta kthejë atë bojë në zjarr për të djegur Shqipërinë dhe ne besojmë dhe kemi arsye të forta për të besuar se sa herë Shqipëria i ka punët mirë, sa herë rajoni dhe faktori shqiptar forcohet, opozita gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e botës. I themi njerëzve që janë më të zgjuar dhe më inteligjent se ajo turmë që u fut në Kuvend për të bërë atë shfaqje, që mos të ndjekin zjarrin e opozitës por të qëndrojnë deri në fund me Shqipërinë. Në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të janë ne një zë që aktet e tilla të mos përsëriten. Për masat që do merren ndaj personave do vendosë kryesia e Kuvendit", tha ajo.