Në një deklaratë për mediat, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, përshëndeti raportin e djeshëm, 4 qershor, të Parlamentit Europian për Shqipërinë.

“Mirënjohje eurodeputetëve për mbështetjen e qartë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e Shqipërisë ndaj reformave kyçe. Ishte shumë e rëndësishme dhe inkurajuese që eurodeputetët mbështetën objektivin tonë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Ishte fakt domethënës që në atë seancë ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si nga shumica ashtu edhe nga opozita. E shoh si një dëshmi të një vërtete të gjithëpranuar, kur vjen puna për integrimin në BE, Kuvendi ka një qëndrim të përbashkët”, tha ajo.

Prioritet kombëtar që tejkalon ndasitë politike, e cilësoi integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Angazhimi ynë në negociata është një kalendar pune”, theksoi Spiropali.

Në deklaratën e saj për shtyp, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali veçoi akuzat e hedhura nga opozita, e më konkretisht nga kryedemokrati Sali Berisha lidhur me rezultatin zgjedhor të 11 majit.

“Dua të ndalem edhe lidhur me një fenomen të cilin edhe duke u përmbajtur, po e cilësoj njollë të zezë, dënoj me forcë përpjekjet e atyre që nuk po lënë gur pa lëvizur, për të dëmtuar imazhin e vendit. E kam fjalën për misionarët që pasi kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull të paparë për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për përdhosjen e emrit të Shqipërisë, reputacionit të tokës tonë të përbashkët me teori komploti, me të pavërteta të shpikura, si përpjekje për mbijetesë politike”, tha ajo.