Në Pallatin e Brigadave kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali, organizoi pritjen e fundvitit me drejtuesit e medias, gazetarët dhe punonjësit e parlamentit.
“Do të doja jo vetëm që të jemi krenar por t’i mirëkuptojmë përgjegjësitë e shtuara për vitin 2025 që vërtet është një vit elektoral, por ndërkohë puna e Kuvendit nuk ndalet asnjëherë“, u shpreh Spiropali.
Kryetarja e parlamentit u angazhua për vijimin e një bashkëpunimi frytdhënës me median, në shërbim të informimit të publikut në atë që prodhon Kuvendi i Shqipërisë.
“Do të mundohemi që brenda Kuvendit të krijohet një ambient më të përshtatshëm për ju, një ambient edhe më miqësor ndoshta me një kafe ndoshta me një bar, ku gazetarët të ndihen pjesë e punëve të Kuvendit. Sigurisht të na përcillni ashtu siç jemi transparent dhe llogaridhënës siç thuhet në këto manualet e Kuvendit”.
Për gazetarët kryeparlamentarja Spiropali përcolli këtë urim:
“Shëndeti juaj edhe për një 2025 të bukur plot ngjarje që nuk do të mungojnë jam e sigurt edhe nga salla e seancave plenare. Por ajo që është më e rëndësishmja ne i shërbejmë interesit publik, ju i shërbeni interesit publik dhe punët tona duhet që edhe publiku t’i përcjellë e t’i marrë ashtu siç janë. Punë për të mirën e përbashkët. Faleminderit dhe gëzuar.”