Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, tha sot gjatë një deklarate për mediat se qeveria nuk mund të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare.
“Ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por nga ana tjetër, ligji ngarkon titullarin, pra rektorin që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë. Me përjashtim të një rasti kur qeverisë i është kërkuar ndërhyrja nga administratori, në një rast ekstrem, ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në administrimin e universitetit. Qeverisë nuk i është kërkuar asnjë herë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare”, tha Spiropali.
Ministrja tha se qeveria i shpreh të gjithë solidaritetin prindërve dhe studentëve që duan mësim. Nga ana tjetër, ajo i bëri thirrje rektorit t’iu përgjigjet studentëve dhe të marrë përgjegjësitë.
“I bëjmë thirrje rektorit për t’iu përgjigjur studentëve, ose nëse ka zgjidhje tjetër le ta bëjë publike. Arsyeja pse dal sot është shqetësimi për pengmarrjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe ndonjë fakulteti tjetër dhe për të theksuar se autonomia universitare që jep ligji parashikon jo vetëm liri, por edhe përgjegjësi dhe detyra që ata duhet t’i ushtrojnë deri në fund”.





